Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e “arrestit me burg” për dy administratorët e kompanisë pritëse të ngarkesës me banane, ku u gjetën 143 kg kokainë, Erion Peti dhe Klaudio Xibraku.
Lënia në pritje për disa ditë e kontenierit me banane të ardhur nga Ekuadori në Portin e Durrësit, ku u gjet 143 kg kokainë, ka ngjallur dyshimin kryesor për policinë për praninë e lëndëve të jashtëligjshme brenda tij.
Pasi është shkarkuar nga anija ai ka qëndruar tetë ditë në pritje, derisa është paraqitur një prej administratorëve të kompanisë “Masabifruit” për tërheqjen. Referuar faktit se kontenieri transportonte produkte ushqimore dhe se në raste të ngjashme shoqëritë pritëse kanë interes ti tërheqin sa më shpejt, lënia një javë në “harresë” e tij, ka nxitur kontrollorët ta kalojnë në kontroll të imtësishëm.
Pas sinjalit të kuq në skaner, në praninë e administratorit Klajdi Xibraku, policia hapi tavanin e tij, ku u gjet edhe sasia e drogës, me pako ku kishte të printuar foto të Pablo Eskobar, ish-bosit kolumbian të kokainës dhe logoja “El mejor”, në shqip, më e mira.
Deri më tani për llogari të hetimit, që po mbikqyret edhe nga SPAK, të arrestuar janë dy administratorët e kompanisë pritëse, Klajdi Xibraku dhe Erjon Peti.