Dy persona janë arrestuar në Sarandë këtë të premte. Policia bën me dije se në pranga është vënë një 30-vjeçar të cilit iu kapën në flagrancë 41 doza kokaine dhe ish-kunati i tij i cili në çantën e dorës mbante pistoletë e municion luftarak.
Mësohet se hetimet për dy të rinj kishin 3 muaj që kishin nisur.
“Finalizohet pas 3 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Fishnet”. Operacioni, nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës. Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak dhe kokainë, vihen në pranga 2 shtetas.
I dyshuar për veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës, emigrantëve nga vendet e treta, vihet në pranga 30-vjeçari, të cilit, në momentin e kapjes, iu gjetën 41 doza kokaine. Vihet në pranga edhe një shtetas tjetër (ish-kunati i tij), pasi u kap në banesën e 30-vjeçarit, me një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në kuadër të një hetimi me metoda proaktive, të nisur 3 muaj më parë, në drejtimin e Prokurorisë, për një shtetas të dyshuar për veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës, emigrantëve nga vendet e treta, bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit, në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Komisariatit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fishnet”.
Shtetasit K. K., në momentin e arrestimit, në banesë, Policia i ka gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në 41 doza. Në banesën e këtij shtetasi ndodhej edhe ish-kunati i tij, shtetasi S. B., i cili gjithashtu u arrestua, pasi gjatë kontrollit në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 41 dozat e kokainës, arma e zjarrit, municioni luftarak dhe 5 aparate celulare. Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet shtesë në ngarkim të shtetasit K. K. dhe materialet për arrestimin në flagrancë të shtetasit S. B. janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës”, njofton policia.