Një punonjës policie dhe 3 persona të tjerë përfunduan në pranga në Divjakë pasi u kapën me drogë e armë. Të arrestuarit janë A. Sh., 43 vjeç, L. B., 53 vjeç, të dy banues në Divjakë, si dhe H. M., 46 vjeç, dhe punonjësi i policisë, I. V., 38 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Operacioni i policisë u zhvillua në lokalin e 53-vjeçarit (L.B), i cili ndodhej në hyrje të qytetit të Divjakës. Në këto ambiente policia gjeti rreth 34 gramë kokainë. Ndërsa në banesën e 43-vjeçarit (A. Sh), u gjetën 3 armë gjahu pa leje, 2 pajisje për prodhimin e fishekëve, si dhe një sasi baruti për prodhimin e fishekëve të gjuetisë.
Autoritetet policore mundën ta finalizonin operacionin në fjalë pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe përmes përdorimit të metodave speciale të hetimit.