Aktualitet Kokainë me nëndetëse nga Panamaja, 29 në pranga në Itali. Përgjimi i...

Kokainë me nëndetëse nga Panamaja, 29 në pranga në Itali. Përgjimi i bosit shqiptar që zbuloi skemën: Nën ujë është 100% e sigurt

Furnizimi me drogë për disa nga qendrat kryesore të tregtimit të Camorras në Napoli dhe provincë, kalonte përmes Holandës dhe Spanjës.

Dhe garantohej nga trafikantët e drogës – disa prej tyre edhe shqiptarë – me ndërmjetësimin nga Dubai të Bruno Carbones, krahut të djathtë të Raffaele Imperiale, bosit të Van Gogh-ut, dy organizata kriminale që shfrytëzonin këtë rrugë për të sjellë kokainë, marijuanë dhe heroinë.

Por të dyja u çmontuan nga një operacion dhe hetim i antimafias italiane i koordinuar nga Prokuroria e Napolit.

Sipas mediave italiane, 29 persona, pjesëtarë të dy organizatave kriminale të dedikuara në trafikun ndërkombëtar dhe shpërndarjen e drogës, janë arrestuar këtë të martë në një operacion të policisë së Napolit në Itali.

Operacioni ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe është fokusuar kryesisht në zonën e Sanita. Kështu, janë sekuestruar rreth 100 kg drogë dhe se grupi komunikonte me telefona te enkriptuar.

Pjesë e këtij grupi rezulton edhe Bruno Carbone, italiani i arrestuar në Dubai në nëntor 2022, i kërkuar që nga 2003 dhe i konsideruar një nga trafikantët më të rëndësishëm pas Raffaele Imperiale.

Mes të arrestuarve janë disa shqiptarë dhe organizata trafikonte kokainë, marijuanë dhe heroinë. Rrugëkalimi i drogës ka qenë dhe Holanda e Spanja.

Droga, veçanërisht kokaina, udhëtonte në çanta ose kontejnerë të mëdhenj. Por edhe në nëndetëse. Që ishte bërë mjeti më i sigurt për organizatat kriminale.

Konfirmimi i përdorimit të udhëtimit “nënujor” është zbuluar nga policia italiane gjatë një përgjimi të një bosi shqiptar, mes të arrestuarve në këtë operacion.

Në vitin 2021, duke folur me një bashkatdhetar që sapo kishte zbritur në Napoli, ai reflektoi mbi rrezikun që një transport droge mund të zbulohej nga qentë nuhatës të drogës, nëse transportohej në çanta.

Kontejnerët janë më të sigurt, por me nëndetëset ka më shumë garanci:

“Nën ujë është 100% e sigurt, por kjo mund të bëhet vetëm nga Panamaja”, thotë ai në përgjime.

Ky është konfirmimi sesi trafiku i drogës po e përdor këtë mjet shtesë transporti, siç është zbuluar tashmë nga policia amerikane gjatë një operacioni antidrogë kohët e fundit.