Komediani i njohur me origjinë shqiptare, John Belushi i kaloi orët e fundit të jetës së tij, duke pirë kokainë me miqtë e tij të Hollivudit Robert De Niro dhe Robin Williams.
Disa orë para se të pësonte një mbidozë fatale në një dhomë private në hotelin famëkeq Chateau Marmont në Los Angeles, Belushi u takua me dy kolegët.
Detajet rreth natës që Belushi vdiq në mars të vitit 1982, janë përfshirë në librin e ri të historianit Shawn Levy, “The Castle on Sunset”, që flet për hotelin skandaloz.
Në fragmentet e librit, të marra nga Hollywood Reporter, Levy detajon ditët dhe orët e fundit tragjike të jetës së aktorit me origjinë shqiptare.
Belushi kishte marrë një dhomë private në hotel më 28 shkurt 1982 – gati një javë para se të pësonte mbidozën fatale më 5 mars në moshën 33-vjeçare.
Robert De Niro i bëri një vizitë yllit të “The Animal House”, në mbrëmjen e 4 marsit 1982, sepse donte të shkonte në festë – por u largua pasi u tmerrua nga situata.
Kokainë në tryezë, rroba të pista kudo dhe vendi ishte i mbushur me kuti të hedhura me pica dhe shishe vere.
De Niro u kthye në orën 3 të mëngjesit për të pirë kokainë, me Robin Williams, por që të dy u larguan shpejt pasi situata ishte shqetësuese.
Të nesërmen Belushi u gjet pa ndjenja nga truproja Wallace, i cili telefonoi menaxherin e tij. Ambulanca erdhi, por e gjeti pa jetë aktorin.
Kur De Niro dëgjoi lajmin mori menjëherë në telefon hotelin dhe pyeti: Ku është John?
Atij i thanë që ka një problem dhe është një gjë shumë e keqe dhe menjëherë e kuptoi se John kishte ndërruar jetë.
“Ai lëshoi telefonin dhe nisi të qante”, thuhet në libër për reagimin e De Niros.