Thomas Tuchel do të jetë trajneri i ri i Kombëtares së Anglisë. Ish-trajneri i Chelsea dhe Bayern Munich ka arritur akordin me Federatën Angleze të Futbollit dhe do të fluturojë në Londër këtë javë për të përfunduar marrëveshjen, për të zëvendësuar Gareth Southgate në stolin e “Tre Luanëve”.
Gjermani, i cili ka mbetur pa punë që kur u largua nga Bayerni në verë, do të bëhet trajneri i tretë jo-anglez që do të drejtojë skuadrën e Anglisë pas Eriksson dhe Capellos.
Një konferencë për shtyp për të shpallur emërimin e tij pritet të mbahet nesër në orën 13:30 në stadiumin Wembley, ku do të marrë pjesë edhe shefi ekzekutiv i Federatës Angleze, Mark Bullingham.
Federata Angleze pati një listë të gjatë emrash për trajnerin e ri që përfshinte Pep Guardiolën dhe Eddie Howe-n, megjithatë bisedimet me Tuchel u përshpejtuan dhe finalizuan ditën e sotme.
Tuchel ka një CV mbresëlënëse pasi ka fituar titujt e ligës me Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich, si dhe Ligën e Kampionëve, Superkupën dhe Kupën e Botës për Klube me Chelsea.
Gjatë një karriere të shkurtër si lojtar, Tuchel luajti për Stuttgarter Kickers në Bundesliga 2 dhe SSV Ulm në divizionin më poshtë përpara se të largohej për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju në moshën 24-vjeçare.
Ai fitoi një diplomë për administrim biznesi në Universitetin e Shtutgartit, ndërsa punonte si kamarier, përpara se të bëhej trajner i futbollit të të rinjve dhe, në vitin 2009, u emërua menaxher i skuadrës së Bundesligës, Mainz, në moshën 36-vjeçare.
Tuchel udhëhoqi skuadrën në Ligën e Evropës për herë të parë në historinë e saj dhe fitoi një reputacion si një nga “trajnerët e rinj më të zgjuar taktikisht” të futbollit gjerman.
I pyetur për stilin e tij të preferuar, ai i tha gazetës gjermane Die Zeit se ishte “dinamik dhe mbrojtës përpara”, ndërsa lojtarët trajtoheshin “në një mënyrë të caktuar dhe siguronin një atmosferë harmonike”.
Pas publikimit të lajmit shumë tifozë të Anglisë janë tronditur nga ideja se një gjerman do të marrë përsipër drejtimin e ekipit kombëtar, por Federata Angleze e ka bërë të qartë gjatë gjithë procesit të rekrutimit se kombësia nuk do të ishte pengesë për këtë rol.
Përpara se të konfirmohej emërimi, kapiteni i Anglisë, Harry Kane e mirëpriti idenë që Tuchel të merrte përsipër ekipin kombëtar. Kane, i cili u stërvit nga gjermani te Bayern Munich sezonin e kaluar, tha në një event të tifozëve të klubit: “Unë e njoh mirë Thomasin nga viti i kaluar. Trajner fantastik, person fantastik”.