Rrugëtimi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve nis më 2 qershor, me ndeshjen në shtëpi kundër Rusisë.
Pas shortit të hedhur nga UEFA, është përcaktuar edhe kalendari i ndeshjeve në Grupin B2. Ajo që bie në sy është se kuqezinjtë do të luajnë plot katër ndeshje, në harkun e dy javëve të para të muajit qershor.
Katër ditë pas duelit me ekipin rus në “Arenën Kombëtare”, Kombëtarja do të luajë në transfertë me Islandën, më 6 qershor. Në 10 qershor, Shqipëria pret Izraelin në shtëpi, për të luajtur tri ditë më mbrapa transfertën me Rusinë, që është kundërshtari më i frikshëm i grupit.
Nations League do të kthehet vetëm pas pauzës verore, me dy ndeshje që do të luhen në shtator 2022. Fillimisht, Kombëtarja luan në Izrael, në datën 24, ndërsa e mbyll turneun më të ri të UEFA-s në shtëpi me Islandën, më 27 shtator.
Grupi dhe kalendari nuk janë aspak të lehtë, me kuqezinjtë që ashtu siç tha trajneri Reja do të kenë si objektiv kryesor të qëndrojnë në Ligën B. Që kjo të ndodhë, duhet evituar renditja në vendin e fundit në grup.