Menjëherë pas triumfit ndaj Hungarisë dhe dy ditë nga ndeshja e radhës me San Marinon, Marash Kumbulla shpalosi objektivat e kombëtares, duke thënë se do të synohet vendi i dytë.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së radhës, mbrojtësi i Romës foli edhe për rastin flagrant që humbi ndaj Hungarisë mbrëmjen e së dielës në Elbasan Arena.
“Jam shumë i lumtur që fituam dhe gjithë skuadra luajti mirë. Unë besoj që përveç dy rasteve që gabova, normale rezultati tregon që s’kemi luajti mirë ndaj Polonisë. Por, jam i lumtur për ndeshjen e djeshme. Rasti i humbur? Nuk kisha çfarë të mendoja. Shkova shpejt në mbrojtje. Humba një rast të rëndësishëm, por ndodh në futboll. Nuk ke çfarë të bësh. Siç e thashë më parë, isha pak pafat, ishte top i shpejtë. Nuk mund të flasim për gjërat që kanë kaluar, është e kotë”.
“Minutat? Shokët e skuadrës më ndihmojnë shumë. Nuk kam problem të luaj me asnjë. Asnjë lojtar nuk është titullar i padiskutueshëm. E rëndësishme është ekipi kombëtar. Kush luan do të japë 100 përqindëshin. Shanset për kualifikim? Dëshira jonë është të bëjmë më mirë, të shkojmë në play-off. Është e vështirë se janë ekipe të forta. Do të japim maksimumin në fushë, ishalla po shkojmë në play-off”.
“Kundërshtari direkt? Besoj se të dyja janë kundërshtar direkt si Polonia dhe Hungaria. Kanë rivalitet, por unë besoj se janë të dyja. Shpresoj që ishalla po bëjnë ndonjë gol, jo vetëm me San Marinon por edhe me tjerat”, përfundoi ai.
Çekiçi: Në fillim pikët ndaj San Marinos
Endri Çekiçi, së bashku me Kumbullën, ishin dy futbollistët e kombëtares që folën në konferencën për shtyp para ndeshjes së të mërkurës ndaj San Marinos. Çekiçi u shpreh se do të ishte speciale nëse 3 pikët ndaj kundërshtarit të radhës do të shoqëroheshin edhe me goleadë. Ndërkohë, ai parashikon një të ardhme të ndritur të kombëtares shqiptare.
“Në pjesën e parë kemi bërë ndeshje të mirë edhe me Poloninë. Na tha trajneri në pushim dje që mos bënim të njëjtat gabime se mund të na përsëriteshin të njëjtat situata. Besoj se kemi një grup me lojtarë të talentuar, besoj se në vitet e ardhshme do kemi ekip kompetitiv jo vetëm në rajon, por edhe në botë”.
“Minutat? Natyrisht që çdo lojtar do të luajë, e rëndësishme është që të jesh pjesë e grupit, vjen gradualisht, edhe nëse nuk luaj do bëj maksimumin. Vij këtu për fanellën. Nuk na vendos në trysni kundërshtari sepse e dimë çfarë cilësish kemi, besojmë te lojtarët dhe mund të arrijmë vendin e dytë në grup. Ka shumë lojtarë të rinj dhe këtu do e shohim njëri-tjetrin për shumë vite. Në ndeshjet në vazhdim hap pas hapi, loja do të vijë duke u përmirësuar”.
“Goleadë ndaj San Marinos? Do ishte ekstra, por në fillim tri pikët kanë vlerë. Besoj se kemi ndryshuar stilin e lojës, jemi më ofensivë, do të hyjmë për të shënuar”, tha Çekiçi.