Kombëtarja shqiptare ka udhëtuar drejt Pragës në kuadër të ndeshjes së radhës ndaj Republikës Çeke që luhet më 7 shtator në stadiumin “Fortuna Arena”, ora 20:45.
Skuadra është nisur paraditen e kësaj të mërkure nga aeroporti i Tiranës për të mbërritur në mesditë në kryeqytetin çek e duke u akomoduar menjëherë në hotel.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka bërë me dije se vetëm mesfushori Qazim Laçi nuk ka udhëtuar me grupin dhe nuk do të jetë i gatshëm për shkak të gjendjes gripale.
Lojtari ka qëndruar në Shqipëri dhe stafi teknik shpreson ta ketë në dispozicion për ndeshjen e dytë ndaj Polonisë, që luhet më 10 shtator. Pjesa tjetër e grupit është e plotë dhe të gjithë gëzojnë formë të mirë.
Në aeroport delegacioni kuqezi u prit edhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Republikën Çeke, Ilirian Kuka, i cili u takua me ekipin e stafin teknik dhe u uroi suksese në këtë ndeshje të rëndësishme për objektivat e kuqezinjve në kualifikueset e Evropianit 2024.
Kombëtarja do të zhvillojë seancë zyrtare stërvitore në orën 18:00 në stadiumin e ndeshjes, ndërkohë që po sot trajneri Sylvinho do të jetë në konferencën zyrtare për shtyp.