Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbërritur në aeroportin e Rinasit ku është pritur nga dhjetëra tifozë dhe me shumë interes nga mediat, pas performancës për t’u vlerësuar në grupin e “Ferrit” me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
Djemtë kuqezi u nisën në orën 12:00 nga Dyseldorfi ku edhe luajtën mbrëmjen e kaluar përballë iberikëve duke humbur me rezultatin 0-1, për tu ulur në Tiranë në orën 15:00.
Trajneri i kombëtares, Sylvinho foli sakaq për mediat duke vendosur edhe njëherë theksin te fakti se ky grup lojtarësh ka fituar shumë eksperiencë nga ky turne, ndaj duhet që çdo shqiptar të ndihet krenar për ta.
“Ishte eksperiencë e mirë për këdo. Një turne i jashtëzakonshëm, por ishte e vështirë për ne. E kam thënë, të gjithë lojtarët, të gjithë, Federata, kur shkonim në ndeshje pamë njerëz që na suportonin, ishte e jashtëzakonshme. Suporti ishte i pabesueshëm, kishte më shumë shqiptarë se sa gjermanë. E kupton kur je për herë të dytë në këtë turne. Nuk është e lehtë të hysh në fushë dhe të luash ndaj një Italie të fortë, Kroacie të fortë e Spanje të fortë. Kemi lojtarë të rinj që e përfaqësuan mjaft mirë vendin. Këta lojtarë të rinj kanë fituar mjaft eksperiencë në këtë turne. Ishte pozitive, një eksperiencë e bukur. Kemi rrugë të gjatë, por duhet të jemi krenar për të gjithë lojtarët. Fituan eksperiencë. Jemi në rrugën e duhur.”
I pyetur për rinovimin e kontratës me FSHF, e cila ka skaduar pas kësaj pjesëmarrje në Europian, Silvinjo u përgjigj duke thënë: “Jam pjesë e kësaj pune. Unë jam pjesë e juaja. Jam i lumtur dhe në një vit e ca kemi bërë punë të madhe. Punojmë bashkë. Federata e kupton. Faleminderit të gjithë lojtarëve”.
Përveç trajnerit ka folur për mediat edhe ylli 21-vjeçar i Kombëtares dhe Beshiktashit, Ernest Muçi, i cili nuk e ka fshehur zhgënjimin për minutat e pakta në fushë.
“Doja më shumë minuta. Ishte pak zhgënjyese që nuk morën një pikë me Spanjën. Çunat besuan deri në fund të gjithë dhe besoj se kjo eksperiencë do na vlejë. Jam shumë i lumtur që më kanë mbështetur edhe tifozët.”