Reagim dinjitoz, që tregon përmasat reale të ish-kapitenit kuqezi. Lorik Cana ka përdorur një foto-montazh për t’iu përgjigjur komentatorit sportiv kosovar, Andin Lokaj, i cili edhe të martën bëri deklarata përçarëse mes shqiptarëve. Mënyra se si e trajtoi ai ndeshjen mes kombëtareve tona U-21, të fituar nga “Dardanët”, ka shkaktuar debate të forta në rrjetet sociale, por jo vetëm.
Sot ka mbajtur qëndrimin e tij edhe Lorik Cana. Përmes një postimi në Instagram, rekordmeni i ndeshjeve me fanellën kuqezi ka publikuar foton e Lokajt si klloun. Të shumta kanë qenë edhe komentet nga tifozët në Kosovë, që e kanë shpallur atë “non-grata”, sidomos tifo-grupi i njohur “Plisat”.
Kosova U-21 mposhti 2-1 kuqezinjtë e Alban Bushit, në kuadër të kualifikueseve të Kampionatit Evropian.
Pas ndeshjes erdhi edhe statusi përçarës i Andin Lokaj, i cili shkroi në Facebook: “Parameno mos me pas fitu sonte kundër ktynve që kur kemi lujt na kosovart TOP, ata në stadion veq ushtar të tupit trunin të Enverit i kan pas në tribuna. Harrova qi edhe peshqit me TURBI i patën kqyr”.