Kryeministri Edi Rama ka folur për BBC pas deklaratave të Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar kundër shqiptarëve.
“Kryeministri shqiptar ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar se po bën kokë turku qytetarët e saj për të justifikuar politikat e dështuara tek kufijtë dhe emigracioni”, shkruan BBC.
Rama ka thënë për median prestigjioze se komentet e sekretares Suella Braverman këtë javë se Britania po “pushtohet”, do të nxisin ksenofobi.
“Kjo lloj gjuhe nuk është politikë, nuk është program, nuk është vizion”, është shprehur Rama.
Gjatë intervistës për BBC Newsnight, Rama tha se komentet e Braverman për “pushtim” ishin të “çmendura” dhe ai e kishte “të pamundur që të mos reagonte”.
“Nuk është për një person. Ka të bëjë me klimën që është krijuar dhe që kërkohen koka turku apo të fajësohen të tjerët. Nuk ka të bëjë me shqiptarët, të huajt, apo gangsterët, por është për politikat e dështuara për kufijtë dhe kriminalitetin. Kjo lloj gjuhe nuk është politikë, nuk është program, nuk është vizion. Është vetëm nxitje e ksenofobisë dhe synimi, veçimi i një komuniteti. Unë admiroj çdo gjë që përfaqëson Britaninë. Por me të vërtetë jam i neveritur rreth kësaj politike që në fund është e destinuar të dështojë”, është shprehur Rama.
Kujtojmë që më herët Rama përmes një postimi në Twitter tha se Britania po diskriminonte kundër shqiptarëve për të shpërqendruar vëmendjen nga “dështimi i politikave”.
Siç shkruan BBC, shqiptarët tashmë janë grupi më i madh që e kalojnë kanalin anglez me anije të vogla. Sekretarja Braverman, tha të hënën se Anglia jugore po përballej me një “pushtim” emigrantësh. Ajo akuzoi gjithashtu shqiptarët për abuzimin e ligjeve moderne mbi skllavërinë.
“Asnjë shqiptar i vetëm nuk duhet të pranohet si refugjat. Shqipëria nuk është një vend i shkatërruar nga lufta. Është shumë e vështirë të argumentohet se kërkesat për azil janë legjitime. Meshkujt shqiptarë kalojnë kanalin ilegalisht ose për të gjetur punë provizore ose për të punuar me kriminelë që kërkohen ndërkombëtarisht”, u shpreh ajo.
Ky nuk është rasti i parë që ministra me prejardhje nga familje emigrantësh përdor gjuhë raciste ndaj azilkërkuesve.
Laburistët e quajtën gjuhën e përdorur nga Braverman absolutisht të papranueshme. Gjithashtu ligjvënës nga i gjithë spektri politik kanë paralajmëruar rrezikun e përdorimit të gjuhës nxitëse.
Braverman rrezikon të ketë një karrierë të shkurtër politike. Ajo u riemërua ministre e Brendshme nga kryeministri i ri Rishi Sunak javën e kaluar, gjashtë ditë pasi dha dorëheqjen nga i njëjti rol në kabinetin ish-kryeministres Liz Truss.