Kometa më e madhe e zbuluar në kohët moderne pritet t’i afrohet Diellit në vitin 2031. Trupi qiellor me përmasa sa 1000-fishi i një komete të zakonshme është zbuluar falë një analize që dy profesorë të Universitetit të Pensilvanisë u bënë të dhënave që janë mbledhur përgjatë gjashtë viteve të fundit nga programi Dark Energy Survey (Vëzhgim mbi energjinë e errët).
Kometa Bernardinelli-Bernstein, sipas emrave të profesorëve në fjalë (Pedro Bernardinelli dhe Gary Bernstein) ka një orbitë jashtëzakonisht të zgjatur, që do të thotë se i duhen miliona vjet për ta përshkuar. Kjo do të thotë se astrofizikanët do të kenë mundësi ta shohin atë të evoluojë ndërsa i afrohet Diellit, megjithëse nuk parashikohet që fenomeni të jetë i dukshëm me sy të lirë.
Kometa, e cila vlerësohet të ketë një gjatësi midis 100–200 kilometra, ose rreth 10 herë diametri i shumicës së kometave, është një relike e akullt e nxjerrë prej Sistemit Diellor nga planetët gjigantë migrues në historinë e hershme të Sistemit Diellor. Kjo kometë është krejt ndryshe nga çdo tjetër që është parë më parë dhe vlerësimi i madhësisë së saj bëhet në bazë të dritës që reflekton, raporton “Science Daily”.
Kometat janë trupa të akullt që avullojnë, ndërsa i afrohen Diellit duke zgjatur bishtin. Udhëtimi i Bernardinelli-Bernstein filloi në një distancë prej mbi 40 000 njësi astronomike (au) nga Dielli – me fjalë të tjera 40 000 herë më larg Diellit sesa Toka, ose 6 trilionë kilometra larg (3,7 trilion milje ose 0,6 vjet dritë – 1 / 7 të distancës deri tek ylli më i afërt). Për krahasim, Plutoni është mesatarisht 39 au nga Dielli.
Trajektorja e kometës Bernardinelli-Bernstein do të ndiqet intensivisht nga komuniteti i astronomëve, përfshirë pajisjet me NOIRLab, për të kuptuar përbërjen dhe origjinën e kësaj relikeje masive nga lindja e planetit tonë. Astronomët dyshojnë se mund të ketë edhe shumë kometa të tjera të kësaj madhësie që mund të përshkojnë një rrugë të ngjashme. Këto kometa gjigante mendohet se janë shpërndarë në skajet e largëta të Sistemit Diellor nga migrimi i Jupiterit, Saturnit, Uranit dhe Neptunit në fillim të historisë së tyre.