Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kishin kundërshtuar refuzimin e mazhorancës socialiste për të ngritur një komision hetimor parlamentar në lidhje me çështjen Becchetti.
E mbledhur në seancë plenare këtë të martë, trupa e Gjykatës Kushtetuese ka pranuar ta gjykojë çështjen në themel. Ajo vlerëson se pretendimet e deputetëve të opozitës, nuk çojnë në përfundimin se në rastin konkret plotësohen standardet kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor.
Vendimi është marre me shumicë votash dhe pritet të zbardhet i plotë brenda afateve të përcaktuara.
Më herët mazhoranca socialiste kishte refuzuar të ngrinte një komision hetimor parlamentar mbi çështjen Becchetti, me arsyetimin se cenohet interesi i vendit, për sa kohë shteti ishte në arbitrazh me sipërmarrësin italian. Deputetet e opozitës e kundërshtuan këtë vendim dhe i kërkuan Kushtetueses të zgjidhte konfliktin juridik.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese, sot në datën 27.12.2022, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh çështjen me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë (jo më pak se një e katërta e deputetëve), anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, me objekt: “ Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 80/2021 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e Arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.
Gjykata vlerësoi se:
– Ajo ka juridiksion për shqyrtimin e kësaj çështjeje, pasi vendimi nr. 9, datë 28.03.2022 i kësaj Gjykate nuk përbën gjë të gjykuar, për rrjedhojë as pengesë në aspektin kushtetues.
– Kërkuesi plotëson kriteret e legjitimimit, pasi kërkesa është paraqitur nga i njëjti subjekt që ka kërkuar edhe ngritjen e komisionit hetimor.
– Në lidhje me themelin e pretendimeve, Gjykata nuk arriti në përfundimin se në rastin konkret plotësohen standardet kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor.
Për sa më sipër, Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 77, 131, pika 1, shkronja “ç” të Kushtetutës, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,
VENDOSI:
- Rrëzimin e kërkesës.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.