Komisioni i Disiplinës së FSHF-së mori sot disa vendime disiplinore të rëndësishme.
Komisioni ka ushtruar një dorë të hekurt ndaj Kamzës, ekipit që vetëm një vit më parë ndodhej në Superiore, dhe që me vendimin e sotëm praktikisht “shkrihet”, dhe shndërrohet në fakt në një subjekt amator.
Për këtë ekip, Komisioni ka vendosur zbritjen nga kategoria ku ndodhet, që është Kategoria e Dytë, pra kalimin në kategorinë e Tretë. Ekipi u dënua vitin e kaluar pas aksidenteve të ndeshjes Kamza-Laçi, ku u dhunua arbitri Eldoran Hamiti. Këtë herë, Kamza u dënua për mosparaqitje në ndeshje.
“KF Kamza për mosparaqitje në ndeshjen ndaj KF Klosi veprim i përsëritur, në bazë të Nenit 89/2/e, 89/3 dhe 89/4 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike të Kategorisë së Dyte dhe Nenit 27/1 të KDS përjashtohet nga aktiviteti futbollistik për sezonin 2019-2020 dhe zbritjen në një kategori më poshtë”, thotë vendimi.
Ndërkohë, për Bylisin komisioni ka mbyllur një sy, duke falur tentativën e braktisjes së ndeshjes kundër Skënderbeut, për shkak të vendimeve të arbitrit. Ekipi nga Ballshi ka marrë thjesht një paralajmërim, ashtu si edhe Tirana, por në këtë rast për sjelljen e tifozerisë.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës
1. KF Vllaznia për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 65/1/ të KDS dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) Lekë.
2. KF Tirana në bazë të Nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatorëve, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës.
3. KF Bylis në bazë të Nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të drejtuesve dhe futbollistëve duke tentuar të braktisin ndeshjen, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Rregulloret e FSHF.
4. Zyrtari i KF Erzeni Shkëlqim Troplini për sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes në bazë të Nenit 48/2/a të KDS dënohet m 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
5. KF Apolonia për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 65/1/ te KDS dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lekë. Në zbatim të Nenit 116/1/a) të KDS, gjoba të aplikohet në masën 50%.
6. KF Kamza për mosparaqitje në ndeshjen ndaj KF Klosi veprim i përsëritur, në bazë të Nenit 89/2/e, 89/3 dhe 89/4 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike të Kategorisë së Dyte dhe Nenit 27/1 të KDS përjashtohet nga aktiviteti futbollistik për sezonin 2019-2020 dhe zbritjen në një kategori më poshtë.
7. Lojtari i KF Butrinti Fabio Dhrami për sjellje të keqe ndaj kundërshtarit në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
8. Lojtari i KF Butrinti Rinild Maraj për sjellje të keqe ndaj kundërshtarit në bazë të Nenit 47/1/e dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
9. KF Selenica për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në bazë të Nenit 64/1 të KDS dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lekë. Në zbatim të Nenit 116/1/a) të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%