Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë qytetare, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme ka miratuar këtë të enjte, 12 janar, marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Marrëveshja e miratuar u arrit dhjetorin e kaluar në një dakordësi mes Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian, që në atë kohë udhëhiqej nga presidenca Çeke.
“Miratimi i marrëveshjes në këtë komision të PE-së dëshmon se formalizimi i vendimit të bllokut evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën po shkon sipas planit dhe procedurave përkatëse, ku përfshihen institucione të ndryshme të BE-së.
PE-ja ka caktuar deputetin socialist nga Holanda, Thijs Reuten, raportues të saj për dosjen që ka të bëjë me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Reuten disa herë ka deklaruar se Parlamenti Evropian do të punojë me shpejtësinë maksimale për këtë proces, i cili, siç ka thënë ai, veçse ka zgjatur shumë”, shkruan REL.