Komisioni i Përhershëm për Prodhim dhe Tregti në Parlamentin grek miratoi të mërkurën Projektligjin e Ministrisë greke të Infrastrukturës dhe Transportit për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Parlamentit grek deputetët e Komisionit votuan me shumicë votash ratifikimin e marrëveshjes mes të dy vendeve që u paraqit në Komision nga Zëvendës Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Joanis Qefalojanis.
Marrëveshja ishte nënshkruar nga Ministrat e atëhershëm të Jashtëm Ditmir Bushati, dhe Nikolaos Kocias në maj të vitit 2018, por që të hynte në fuqi duhet të ratifikohej nga Parlamenti grek.
Autoritetet greke nuk kanë dhënë motive për vonesat, por më në fund pas gati dy vitesh Komisioni Parlamentar grek ka hapur dritën jeshile që projektligji të kalojë në seancë parlamentare. Njohja e ndërsjelltë e lejeve të drejtimit pritet të lehtësojë lëvizjen e shtetasve shqiptarë dhe grekë dhe sidomos të dhjetëra mijëra emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Autoriteti i Transportit Rrugor shqiptar duke iu referuar marrëveshjes ka pohuar se “shtetasit shqiptarë që zotërojnë leje drejtimi, model i lëshuar nga 1 korriku i vitit 2005, ose ata që janë të pajisur me formatin që ka nisur të shpërndahet nga 24 janari i vitit 2017, mund të drejtojnë automjetin e tyre edhe në territorin grek”.
Marrëveshja për lejet e drejtimit parashikon gjithashtu edhe procesin e konvertimit të lejeve të drejtimit. Sipas marrëveshjes “qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e testeve teorike dhe praktike për marrjen e lejes greke të drejtimit”.
Sipas Marrëveshjes “qytetarët shqiptarë do të dorëzojnë lejen e drejtimit, marrë në Shqipëri dhe do të marrin atë greke duke pasur mundësinë, të qarkullojnë si drejtues mjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.
Marrëveshja parashikon që në momentin që shtetasit shqiptarë vendosin qëndrimin normal në territorin grek, ata mund të konvertojnë lejen shqiptare të drejtimit në atë greke duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Drejtorive të Transportit në shtetin grek.
Kjo procedure, sipas marrëveshjes, bëhet pas kryerjes së kontrolleve mjekësore që vërtetojnë se personi është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorive specifike. Autoriteti rrugor shqiptar ka pohuar se konvertimi i lejes së drejtimit vlen edhe për shtetasit grekë që vendosin qëndrim në Shqipëri./VOA