Nguti i qeverisë për t’i dhënë dritën jeshile komisionit të posaçëm për dezinformimin pa dialog, ngjalli shqetësime tek opozita dhe shoqëria civile. Mungesa e transparencës dhe gjithëpërfshirjes gjatë këtij procesi, nuk është as në pritshmëritë e Departamentit Amerikan të Shtetit, që kërkon dialog gjithëpërfshirës. Në një përgjigje për Faktoje, DASH thotë se për luftën ndaj dezinformimit pret diskutim me bazë të gjerë nga shqiptarët.
Esmeralda Topi – Faktoje.al
Më 11 prill socialistët miratuan në Parlament ngritjen e komisionit të posaçëm për dezinformimin. Mungesa e transparencës dhe gjithëpërfshirjes në procesin dyjavor që u finalizua me ngritjen e komisionit për dezinformimin, krijoi shqetësim në radhët e opozitës dhe shoqërisë civile.
Kërkesa për gjithpërfshirje dhe dialog me bazë të gjerë tashmë vjen edhe nga partnerët ndërkombëtare. Departamenti Amerikan i Shtetit, në një koment për Faktoje thekson se vetëm kështu mund të luftohet me efikasitet sfida e dezinformimit.
“Luftimi i kësaj sfide kërkon një dialog gjithëpërfshirës për të siguruar efektivitetin e saj dhe ne presim një diskutim me bazë të gjerë me të gjithë shqiptarët”, tha DASH për Faktoje.
“Luftimi i dezinformimit dhe keqinformimit është kritik” – vlerëson DASH duke theksuar se SHBA-ja bashkëpunon me miqtë dhe aleatët për të ndërtuar qendrueshmëri dhe praktikat më të mira.
Sa i përket dokumentit mbi të cilin është bazuar ngritja e këtij komisioni – memorandum i bashkëpunimit i firmosur në 15 shkurt nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara, gjatë vizitës në Tiranë të sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken – DASH vlerëson se duhet të shërbejë si kornizë për angazhimin diplomatik me partnerët dhe aleatët në mbarë botën.
“Korniza është krijuar për të ndihmuar vendimmarrësit të zhvillojnë pamjen më të plotë të mundshme të përbashkët operacionale të kërcënimit të manipulimit të informacionit nga një shtet i huaj dhe të identifikojnë dhe zbatojnë mënyra efektive për ta luftuar atë.”- sqaron DASH.
Qeveria shqiptare ende nuk e ka publikuar Memorandumin e Mirëkuptimit Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj (dezinformimit) mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Faktoje ka kërkuar një kopje të dokumentit dhe është ende në pritje të përgjigjes zyrtare nga Këshilli i Ministrave.
Qëllimi i komisionit për dezinformimin
Komisioni i posaçëm për dezinformimin ka si qëllim identifikimin e fushatave dezinformuese në media, mbështetjen financiare të mediave apo organizatave të shoqërisë civile. Një element kyç ështe edhe identifikimi i burimit të të ardhurave të shpenzuara të partive politike në fushata elektorale.
Komisioni për dezinformimin parashikon ndërmarrjen e masave në rast të identifikimit të ndërhyrjeve të mundshme të huaja apo dashakeqe. Kërkesa parashikon masa të tilla si ndryshimin apo miratimin e ligjeve për të rritur përgjegjshmërinë e platformave dhe mediave sociale në klasifikimin e informacioneve të shpërndara.
“Masat parashikojnë edhe mbylljen e llogarive të personave apo subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara jo autentike në internet.” – thuhet në kërkesën e miratuar të socialistëve për komisionin për dezinformimit.