Asnjë masë nuk ndryshoi Komiteti Teknik i Ekspertëve në konferencën që u zhvillua këtë të enjte para gazetarëve. Zv/ministrja Mira Rakacolli u shpreh se për zhvillimet epidemiologjike në vend sot për sot niveli i masave është në përputhje me situatën dhe nuk do të ketë ndryshime.
“Prandaj këto shifra nuk duhen parë me frikë, por me një shtim akoma më të madh të vëmendjes dhe kujdesit. Komiteti Teknik i Ekspertëve mendon se niveli i masave mbrojtëse sot për sot është në përputhje me zhvillimet epidemiologjike në vend dhe sot për sot në këtë fazë nuk do të ketë ndryshime”, tha zv/ministrja Mira Rakacolli.
Ekspertët njoftuan se incidenca javore është rritur. Shkak për të këtë është qarkullimi i variantit të ri Omicron dhe grumbullimet, ndërsa ekspertët shtuan se rritja e rasteve është reflektuar edhe si pasojë e mos zbatimit të rregullave gjatë festave të fundvitit.
“Incidenca javore është tepër e rritur, me një incidencë të lartë të rasteve pozitive gjatë 2 javëve të fundit. Kjo për shkak të dy varianteve që janë në qarkullim, por respektimi i masave. Gripi dhe dy variantet po bëjnë një qarkullim dhe transmetueshmëri në nivele të larta. Këto ditë kanë reflektuar pikun më të lartë të hasur në vend, në këto 2 vjet pandemi”, tha Eugena Tomini.
Prof. Silva Bino, shefe e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se ecuria e vaksinimit është e mirë dhe ka rritje javën e fundit.
“Ka një rritje gati dyfish të vaksinimeve me dozë të parë. Ka një ndërgjegjësim më të lartë të popullatës. Në popullatën target ne kemi arritur 52.7 % me dozë të parë dhe 47.3 % me dy doza. Edhe 7.7 % e personave janë vaksinuar me tre doza. Përsa i përket vaksinimit në moshat mbi 60 vjeç ne jemi një nga vendet më të mira në Europë në lidhje me mbulesën vaksinale në këtë grupmoshë, por sfidë mbetet vaksinimi i të rinjve”, tha Bino.
Deri tani 10 fëmijë janë të hospitalizuar si pasojë e Covid, por fatmirësisht në radhët e fëmijëve nuk ka pasur fatalitete.