Aktualitet Komiteti Teknik i Ekspertëve: Javë e rëndësishme, pas saj pritet vlerësimi i...

Komiteti Teknik i Ekspertëve: Javë e rëndësishme, pas saj pritet vlerësimi i masave

Masat kufizuese do të vijojnë të mbeten të pandryshuara edhe për këtë javë. Gjatë një konference për mediat për situatën e epidemisë në vend, Komiteti Teknik i Ekspertëve tha se këtë javë gjendja nga koronavirusi në vend mbetet relativisht e qëndrueshme dhe se do të duhet edhe një javë tjetër për të parë a do të vazhdojë kjo qëndrueshmëri. Në bazë të këtyre të dhënave do të gjykohet nëse do të ngelemi në nivelin e këtyre masave apo do të ketë nevojë për masa të tjera ndërhyrëse.

“Këtë javë gjendja mbetet relativisht e qëndrueshme dhe do të na duhet dhe një javë tjetër për të parë a do të vazhdojë kjo qëndrueshmëri dhe në bazë të vlerave që do të kemi këtë javë do të gjykohet nëse do të ngelemi në nivelin e këtyre masave apo do të ketë nevojë për masa të tjera ndërhyrëse. Pra është një javë e rëndësishme në vlerësimin epidemiologjik të situatës në lidhje me rastet që do të paraqiten dhe në lidhje me sesi do të ndryshojnë treguesit, indikatorë që na çojnë ne, në vlerësim të efikasitetit të masave që janë marrë dhe në gjykimin sesi do të vazhdojë gjendja”, tha Zv/Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Duke raportuar për situatën epidemiologjike, shefja e ISHP-së, Albana Fico, tha se ka rritje të lehtë të numrit të pacientëve për terapi intensive.

“Qëndrueshmëri e numrit të pacientëve të shtruar, por rritje e lehtë e rasteve që kanë nevojë për terapi intensive. Përqindja e humbjes së jetëve në raport me të infektuarit është 2.1 %.”

Sipas saj, prefekturat me incidencë më të lartë janë Tirana, Gjirokastra dhe Lezha, ndërsa grupmoshat e të prekurve 55-64 vjeç, 65-75 vjeç. Por, Fico nuk dha të dhëna për moshën e personave që kanë humbur jetën nga virusi.

Shefja e ISHP-së theksoi se vendi ynë mbetet me incidencën më të ulët në rajon dhe Evropë sa i takon incidencës 2-javore.

“Incidenca 2-javore, 356 raste për 100 mijë banorë, kjo shifër është më e ulët se vendet e rajonit, që raportojnë 848 raste për 100 mijë banorë dhe mbetet më e ulët se mesatarja e vendeve të BE me 510 raste për 100 mijë banorë”.