Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh këtë të mërkurë dhe vendosi me vijimin e masave të marra për shkak të situatës së pandemisë. Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, u shpreh se do të mbetet në fuqi ora policore 20:00-06:00. Në këtë orë do të funksionojnë edhe baret e lokalet. Po ashtu, do të vijojë mësimi online nga shtëpia përveç maturantëve.
Rakacolli theksoi se pavarësisht përmirësimit të lehtë të situatës, për shkak edhe të vaksinimit masat do të vijojnë të qëndrojnë në fuqi. Ajo ngriti shqetësimin për grumbullimet në takimet elektorale.
“Përmirësim i lehtë i situatës, pavarësisht rënie të pozitivitetit të testimit. Masat e propozuara kanë qenë efikase dhe natyrisht ky rezultat vjen si bashkëpunim i qytetarëve. Një nga arritje e mëdha ka qenë fushata e vaksinimit jo vetëm në drejtim të numrit të vaksinimit, por Shqipëria ka zënë vendin e parë në rajon sa i përket ritmit të vaksinimit duke ia kaluar edhe Italisë, Greqisë dhe Serbisë, për shkak të organizimit perfekt. Situata nuk është aty ku duhet të jemi dhe mendohet që masat të mbeten në të njëjtin nivel që kanë qenë nuk ka asnjë ndryshim. Nuk do të lejohet lëvizja nga ora 20-6:00. Baret e restorantet pas kësaj ore do të jenë të mbyllura. Fluturimet me Britaninë edhe këto dy javë mbeten të pezulluara. Nuk lejohen grumbullimet mbi 10 veta”, th Rakacolli.
Nga ana e saj drejtuesja e Shëndetit Publik Albana Fico theksoi se ka ulje të të gjithë indikatorëve të situatës epidemiologjike dhe në javën e fundit ka pasur ulje të vdekjeve nga 70 në 55 këtë javë.
Po kështu ka rënë edhe numri i kërkesave për ndihmë në urgjencë dhe numri i shtrimeve vijon të jetë i ulët.
Numri i rasteve të infektuara te fëmijët po ashtu po ulet nga dita në ditë. Nuk ka raste në terapi intensive apo fatalitete.