Polemikat për dhënien e “Topit të Artë” për mesfushorin Rodri të Manchester City dhe jo për sulmuesin e Real Madrid Vinicius janë ndezur keq.
Mediat braziliane e quajnë skandal dhe Real Madrid shprehu dukshëm zemërimin e tyre të pashuar. “Është politikë në futboll,” ka përmbledhur gjithë situatën shoku i skuadrës i Vinit, Camavinga.
Në natën e ceremonisë në Paris, kryeredaktori i revistës France Football, e cila themeloi “Topin e Artë” në vitin 1956 dhe tani e ndan në bashkëpunim me UEFA-n, shpjegoi pse çmimi iu dha mesfushorit spanjoll të Citizens dhe jo lojtarit brazilian. “Ka qenë një fitore me diferencë të ngushtë – tha Vincent Garcia -. Vinicius padyshim vuajti për shkak të pranisë së Bellingham dhe Carvajal në pesëshen e parë, pasi matematikisht i morën disa pikë. Kjo tregon gjithashtu sezonin e Realit, ku ekipi është mbështetur në 3-4 lojtarë, dhe juria i ndau votat mes tyre, duke i dhënë përparësi mesfushorit të City, Rodri.”
Shokët e skuadrës i hoqën pikë Vinicius
Në këtë mënyrë, Vinicius humbi vota për shkak të ‘konkurrencës së brendshme’. Prania e lojtarëve të tjerë të Real në listën prej 30 kandidatëve – përveç dy të përmendurve më sipër, që zënë vendin e tretë dhe të katërt, përfshinte edhe Kroos (i nënti), Valverde (i 17-ti) dhe Rudiger (i 22-ti) – duket se i hoqi pikë Vinicius, pasi disa votues dëshironin të vlerësonin sezonin e jashtëzakonshëm të Blancos dhe shihnin ndonjë lojtar tjetër si më të përshtatshëm. Në një garë kaq të ngushtë, këto pikë ishin thelbësore.
Sqarimi i kryeredaktorit të France Football
Kryeredaktori i France Football siguroi për gazetën L’Equipe se sekreti për renditjen finale të “Topit të Artë 2024” – dhe për fituesin – ishte ruajtur me kujdes deri para ceremonisë: “Askush nuk e dinte, as te Real Madrid dhe as te City. Emocionet e spanjollit Rodri në skenë janë përgjigja më e mirë. Ai nuk ishte në dijeni të asgjëje. Kjo i jep fund çdo spekulimi që mund të kemi paralajmëruar njërin apo tjetrin.” Ai shtoi se presioni për të ditur rezultatin paraprak ishte i madh: “Të gjitha klubet favorite insistonin të merrnin informacionin”.
Presion i madh nga Reali për të ditur fituesin
Garcia komentoi edhe mungesën e Real Madrid në ceremoni: asnjë përfaqësues – nga pesëdhjetë të planifikuar fillimisht – nuk u paraqit të hënën në mbrëmje në Theatre du Chatelet në Paris. “Ishim shumë të qartë me ta dhe të gjitha klubet e tjera – tha ai për sekretin e detyrueshëm të rezultateve –. Këtë vit fituesit nuk do të informoheshin paraprakisht. Mendoja se të gjithë e kishin pranuar, por në momentin e fundit, nuk e di pse, ata donin të ndryshonin rregullin. Kur Real Madrid mori vendimin e vet, nuk jam i sigurt nëse nuk bëhej fjalë për lojë taktike”.
“Kam patur presion të madh nga Real Madrid, por si me klubet e tjera, kam qenë gjithmonë i qartë, korrekt dhe, ndoshta, heshtja ime i shtyu përtej kufirit”, përfundoi gazetari francez, duke thënë se mbeti “i befasuar keqazi” nga vendimi i madrilenëve për të bojkotuar ceremoninë, ku ata fituan çmimin për ekipin më të mirë dhe Ancelotti fitoi “Topin e Artë” për trajnerët. Të gjitha këto çmime nuk patën asnjë përfaqësues të Real Madrid, një situatë e pakëndshme sido që ta shikosh.
Komplot i UEFA-s ndaj Real Madridit?
Clarence Seedorf i “hedh benzinë zjarrit”, në vazhdën e polemikave për “Topin e Artë”, që njihte si favorit absolut Vinicius Junior për vitin 2024, por pa mbrëmë të ngjitej dhe laureohej në skenë Rodri.
Ish-lojtari Real Madridit nga viti 1996 deri më 2000, me karrierë edhe te Milani e Interi, ndërhyri në debat pas vendimit për t’ia dhënë trofeun e shumë lakmuar të “France Football” mesfushorit spanjoll të Manchester City, kampion i Europës. Një reagim befasues nga 48-vjeçari, tashmë kolumnist dhe komentator sportiv televiziv, përballë mikrofonave të “TNT Sports Brazil”:
“Unë votova pothuajse një vit më parë dhe mendoj se Vinicius e meritonte këtë çmim”. Megjithatë, Seedorf nuk u ndal me kaq, duke shkuar pak më tej në konsideratat personale dhe lënë të kuptohet për ekzistencën e mundshme të një komploti kundër Real Madridit dhe yllit brazilian:
“Duket se ka diçka mes Real Madridit dhe UEFA-s, që nuk po zgjidhet dot. Është turp, sepse këto gjëra duhet të ndahen, veçanërisht për një lojtar, në një moment të caktuar. E nënvizoj me forcë: Problemet mes Real Madridit dhe UEFA-s duhet të ndahen, të mos ndikojnë në këto gjëra. Është turp”.