Ukraina ka zbuluar dhe shmangur një përpjekje për grusht shteti, ku ishin përfshirë shtetas rusë. Ka qenë presidenti Volodymyr Zelensky që ka komunikuar lajmin.
Ndonëse nuk ka akuzuar direkt Rusinë, Zelensky ka deklaruar se Ukraina është gati të përballet me të.
“Disa organe mediatike deklarojnë se nesër do të ketë luftë. Por ajo që duhet të dimë ne është se kemi kontroll të plotë të kufijve tanë dhe jemi të përgatitur për çdo përshkallëzim”, tha presidenti ukrainas.
Komploti do të realizohej javën e ardhshme, vijoi më tej Zelensky, ndërkohë që Moska zyrtare mohoi çdo rol të saj. E shqetësuar për situatën është shprehur edhe Aleanca e Atlantikut të Veriut.
“Po monitorojmë zhvillimet e fundit me vëmendje. Po mbledhim dhe po shpërndajmë informacione, si dhe po i dërgojmë një mesazh të qartë Rusisë, se ajo duhet të çtensionojë situatën, të jetë transparente dhe se çdo përdorim force ndaj Ukrainës do të ketë pasoja për Moskën”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara, NATO dhe BE-ja kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi lëvizjen e trupave ruse përreth Ukrainës, ndërkohë që Kremlini ka mohuar kryerjen e operacioneve të tilla.