Në Fleury të Francës, i gjithë komuniteti ka dalë në mbrojtje të një familje shqiptare. Autoritetet i kanë refuzuar asaj kërkesën për azil dhe tashmë pritet që ta dëbojnë.
Prindërit e nxënësve dhe banorët dolën në mbështetje të familjes shqiptare Seferaj, e cila nuk ka dokumente dhe tashmë po qëndron ilegalisht në Francë.
“Familja ka 7 vite që jeton këtu dhe fëmijët e saj janë nxënës në shkollën Fleury ku janë integruar mirë”, thotë Gwendoline Wattel, një nga prindërit e nxënësve të shkollës Fleurys.
Prindërit dhe nxënësit u mblodhën para sallës së bashkisë Fleury për të njoftuar krijimin e një solidariteti kolektive dhe për të rritur ndërgjegjësimin për situatën. Një kërkesë për shfuqizimin e detyrimit për t’u larguar nga territori tashmë ka mbledhur 567 nënshkrime.
“Ne duam t’u tregojmë atyre se i mbështesim ata, sepse kjo familje ka treguar gatishmërinë e saj për t’u integruar, duke marrë mësime të gjuhës franceze ose duke investuar në shoqata të ndryshme, siç është shtëpia e biçikletave, si dha ka qenë aktive te shoqata e prindërve”, tha një tjetër pjesëmarrës.
Melsi dhe Merita Seferaj u larguan nga Shqipëria për t’u vendosur në Francë në Qershor të vitit 2012. Ata jetojnë në Fleury me dy fëmijët e tyre Merald dhe Melina.
Pasi mori një punë të përhershme dhe punoi për dy vjet, Melsi Seferajt iu ndërpre kontrata në Qershor 2016. Por shumë mbështetës të familjes kanë grumbulluar të ardhura për të.
Deri më tani thuhet se shpresa e vetme për familjen është edhe mbështetja e zyrtarëve të zgjedhur dhe kryetarit të Bashkisë Fleury-sur-Orne. Nëse ata kthehen Shqipëri, nuk do ndihen të sigurt. Tashmë grupi mbështetës do të shkojë dhe t’i bëjë një kërkesë edhe Prefekturës. Një mobilizim tjetër pritet të mbahet më 16 Maj, 2019, nëpër qendrat kulturore të Fleury.