Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Shkëlqim Cani ka mohuar njohjen me biznesmenin Ilir Rrapaj. Në një deklaratë për mediat pas dhënies së dëshmisë në SPAK, ai tha se duhet të ruajë sekretin hetimor dhe theksoi që ka zbatuar ligjin. Cani u shpreh se ka dhënë miratimin për koncesionin pasi ishte plotësuar dokumentacioni.
“Është një procedurë e ndjekur nga të gjitha koncesionet. MF kërkon që dokumentacioni të përputhet me liget në fuqi. Është rutinë pune. Ky është sekret hetimor. Unë jam njeriu që duhet të ruaj sekretin hetimor. Nuk mund të flas me detaje se çfarë ndodhi. Ju falënderoj për interesimin që bëhet në kuadër të transparencës. SPAK-u duhet falënderuar bashkë me ju pasi po punojnë për zbulimin e të vërtetës. Në këto ditë të nxehta SPAK-u ka nxjerrë gjethet për të na bërë hije. Jam gati të përballem me drejtësinë. Kam qenë i hapur për çdo çështje për çdo gjë.
Punët e mia janë të ndërtuar mbi bazën e letrave dhe jo të fjalëve. Unë kam dhënë përgjigje për ato që më ka kërkuar institucioni në zbatim të ligjit. Unë kam zbatuar ligjin dhe aktet nënligjore.
Ç’donte Ilir Rrapaj me mua, Ministri i Financave nuk ka asnjë lidhje me të, nga ta gjej unë lidhjen! Pse duhet ta njoh unë atë. Unë nuk jam ministri që kam kryer pagesat, pasi kur ka filluar koncesioni unë jam largua nga detyra. Kam qenë dakord. Unë them nëse plotësohet dokumentacion jam i detyruar të zbatoj ligjin. Jam i detyruar me ligj që kur plotësohet dokumentacioni të jap pëlqimin”, tha Cani.
Sa i takon çështjes së koncesionit të sterilizimit, sot janë lëshuar gjithsej 8 urdhër arreste me vendim gjykate për zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë këtu dhe ish-zv. ministrin, Klodian Rrjepaj.
Akuzat që rëndojnë mbi ta janë falsifikim dhe shpërdorim detyre. Ndërkohë mbi biznesmenin Ilir Rrapaj, gjithashtu i ndaluar për këtë çështje rëndon akuza e mashtrimit.