Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Skocisë për të marrë pjesë në konferencën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike.
Rama ka publikuar një video teksa ka mbërritur në këtë konferencë që po mbahet në Skoci, ku shihet teksa takon Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnsos.
Kryeministri i Britanisë është dhe pritësi në konferencën COP26.
Fundjavën që kaloi në takimin e 20 vendeve më të industrializuara në Romë, vende përgjegjëse për një pjesë të madhe te emetimeve dëmtuese për klimën, u arrit vetëm një konsensus minimal: Vërtet që u përforcua premtimi për kufizimin e ngrohjes globale mundësisht në 1,5 gradë krahasuar me periudhën paraindustriale, por nuk u dha një datë e caktuar për këtë.
Edhe në drejtim të mosemetimit të CO2-it nuk pati një ujdi mes shteteve të G20-s. Sipas deklaratës së samitit, ky objektiv duhet të arrihet “deri në mesin apo fundin e shekullit”. Në samit pati shumë kundërshtime nga vendet në ekspansion dhe shtetet me prodhim të madh të energjisë nga lëndët fosile.
Aktivistët e klimës i kritikuar rezultatet e samitit si të pamjaftueshme. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u tregua i pakënaqur. “Po largohem nga Roma me shpresa të papërmbushura, por të paktën ato nuk janë varrosur”, shkroi Guterres në Twitter. Kurse kryeministri britanik, Boris Johnson u shpreh, se “nëse dështon Glasgou, dështon e gjitha.”