Ministria e Drejtësisë ka organizuar sot në datë 29 janar 2018 konferencën me temë “Mjetet në luftën kundër krimit të organizuar: Masat parandaluese pasurore dhe masat brenda sistemit të burgjeve në eksperiencën italiane”, e cila lidhet me zbatimin e regjimit të posaçëm në burgje, që pritet të hyjë në fuqi së shpejti, pas miratimit nga parlamenti.
Të pranishëm në konferencë kanë qenë Prokurori i Antimafias Italiane, Federico Cafiero De Raho, i shoqëruar nga një grup ekspertësh të kësaj prokurorie, Ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ambasadori italian Alberto Cutillo, ndërsa nga pala shqiptare merrnin pjesë drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjitshme të Burgjeve, Prokrurorisë dhe Policisë së Shtetit. Ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj në fjalën e saj u shpreh se lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet absolut i Qeverisë Shqiptare, e cila është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj në këtë sfidë madhore.
Për ministren Gjonaj regjimi i ri i sigurisë në burgje, sipas modelit italian 41 Bis, “është një hap më tej në konsoldimin e luftës kundër krimit të organuizuar, hap që do të shoqërohet nga iniciativa të tjera siç është paketa antikrim, e cila do të prezantohet shumë shpejt dhe që ka si synim ndryshime legjislative dhe ndërhyrje thelbësore në kuadrin ligjor aktual, përfshirë edhe reformimin e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë” Këto inciativa do të ecin paralelisht edhe me zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila sipas Ministres së Drejtësisë tashmë është rrugën e duhur dhe po jep frytet e para.
“Ngritja e institucioneve të reja si Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi, do të krijojë kushtet e duhura për ndjekjen dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kallëzimeve penale në nivelet e larta të politikës dhe administratës publike”, është shprehur Gjonaj. Duke falenderuar prokurorin De Raho për mbështetjen e dhënë, Ministrja Gjonaj ka theksuar se forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë do të kontribuojë drejtpërsëdrejti në rezultatet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit, do të rrisë besimin në kapacitetet tona hetimore dhe do ta sjellë Shqipërinë më pranë BE.
Nga ana e tij Prokurori Italian i Antimafias Federrico De Raho shprehu mbështetjen për iniciativat e ndërmarra nga Ministrja e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare për luftën kundër krimit të organizuar. “Jam për të dytën herë brenda pak muajsh në Shqipëri për të dhënë mbështetjen, por edhe eskperiencën tonë në luftën që shteti shqiptar ka ndërmarrë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo konferencë e organizuar nga Ministria e Drejtësisë dëshmon edhe një herë angazhimin e ministres dhe të Qeverisë në të cilën ajo bën pjesë, për t’u përballur me me problemet e lidhura me luftën kundër mafies dhe korrupsionit”, është shprehur De Raho. Prokurori i antimafias e cilësoi ligjin “41 bis”, si shumë të rëndësishëm.
“Ky instrument ligjor është shumë i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, duke qenë se kufizon mundësitë për të komunikuar me jashtë, veçanërisht për pjesëtarët e organizatave kriminale, që mund të vazhdojnë nga brenda burgut të drejtojnë aktivitetet e bandave të tyre kriminale, të japin udhëzime dhe të menaxhojnë aktivitetet e tyre të paligjshme”, ka theksuar De Raho. Konferencën e ka përshëndetur edhe Ambasadori i BE, Luigi Soreca, ndërsa më pas ekspertët italianë kanë folur për eksperiencën e tyre në zbatimin e modelit 41 Bis si dhe iniciativave për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.