Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar zyrtarisht se në Shqipëri qarkullon varianti britanik i koronavirusit Covid-19.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Në fjalën e saj, ministrja Manastirliu u shpreh se konfirmimi i mutacionit të Covid është konfirmuar në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik të Turqisë, ku analizat vërtetuan dyshimet e mjekëve.
“Në vlerësimin e situatës janë analizuar kampione, laboratori ka përdorur kite specifike, Instituti i Shëndetit Publik ka bashkëpunuar me ISHP-në e Ankarasë në Turqi, dhe rezultatet treguan se kampionet janë të infektuar me variantin e ri, mbajnë një shenjë të mutacionit britanik.
Ky mutacion është detaktuar nga laboratori i ISHP që është në qarkullim. Pra dyshimet e arsyeshme që ekspertët tanë patën kur filloi rritja e infektimeve, tashmë është e konfirmuar nga detektimi në laborator që Shqipëria ka në qarkullim edhe këtë mutacion, variantin e ri, atë britanik, të Covid-19”, tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë ka vendosur të mos ndryshojë masat e deritanishme kundër koronavirusit.
Ndërkohë, pjesë e Komitetit Teknik të Ekspertëve për pandeminë u bënë edhe 3 anëtarë të rinj: Dhimiter Kraja, ish-shefi i Shërbimit Infektiv, Ermira Kola, shefe e Reanimacionit të Pediatrisë në QSUT dhe Alban Ylli, specialist ISHP.
Këto ndryshime kanë ardhur pas largimit të Tritan Kalos dhe Najada Çomos. Kalo e njoftoi largimin e tij me një postim në rrjetet sociale, ku akuzoi qeverinë, presidencën dhe opozitën për përçarje të mjekëve në përballimin e pandemisë. Tashmë Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë do të ketë 13 anëtarë nga 12 që kishte më herët.