Policia e Tiranës ka konstatuar mesazhe të maskuara si ato të kompanisë Meta Platforms, drejt numrave të telefonit, për konfirmimin e të dhënave në rrjetin social Facebook, të lidhura me shërbimin Facebook Ads. Sipas Policisë në këto mesazhe ku pretendohet verifikimi i llogarive në Facebook ose në të kundërt, llogaria do të mbyllet, kanë për qëllim orientimin e poseduesve drejt linqeve mashtruese.
“Mesazhet mashtruese kanë si synim orientimin e poseduesve të llogarive drejt linqeve mashtruese me qëllim marrjen në posedim të llogarive të personave të mashtruar, në mënyrë të padrejtë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë bën thirrje që “nëse jeni ose dyshoni se mund të jeni i prekur nga dërgimi i këtyre mesazheve, të paraqiteni pranë zyrave tona, si dhe këshillon që të mos kryeni asnjë veprim kundrejt këtyre mesazheve, të cilat mund të vijnë nga numra kryesisht të huaj”.