9 persona u shpallën fajtor nga Gjykata e Tiranës për akuzën e ndërtimit të paligjshëm dhe falsifikimit të dokumenteve.
Ata janë, Armand Prelezi, Klevis Bregu, Manush Teqja, Florian Zela, Abaz Teqja, Mehmet Durishti, Tefta Visha, Dorina Dushku dhe Arblin Harizi.
Në një njoftim për mediat, Prokuroria e Tiranës thotë se personat në fjalë kanë ndërtuar pa leje dhe me anë të dokumenteve të falsifikuara 7 vila në zonën e Mulletit. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata po ashtu vendosi konfiskimin e këtyre 7 vilave.
“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Tiranë u shpallën fajtorë nëntë persona për veprën penale ‘Ndërtim i paligjshëm’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’ kuadër të procedimit penal nr.1285 të vitit 2023, nga ana e organit të prokurorisë u kryer hetime intensive, si marrja në pyetje e personave, këqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerje e ekspertimeve teknike, dhe në përfundim u konkludua se janë konsumuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 199/a/3, 186/2, 186/3 në bashkëpunim dhe 300 të Kodit Penal, pasi në zonën e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që rezultoi se dokumentacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë. Në përfundim të gjykimit, u vendos dënimi i të pandehurve dhe konfiskimi i 7 vilave të ndërtuara pa leje në ekonomi pyjore nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.