Policia e Tiranës ka shoqëruar gjatë ditës së sotme në komisariat ish-gjyqtarin e Apelit Alaudin Malajn. Shoqërimi i tij është bërë në zonën pranë parkut të “Liqenit Artificial të Tiranës”.
Mësohet se shkak është bërë konflikti mes Malajt dhe djalit të tij për një automjet që është në pronësi të ish-bashkëshortes, që Malaj nuk pranonte t’ia dorëzonte. Ka qenë pikërisht djali i tij që ka njoftuar policinë për ngjarjen.
Në muajin gusht të këtij viti, pas një padie nga vetë Alteo, Gjykata e Tiranës kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për të duke i kërkuar Alaudinit qëndrimin larg tij.
Pas rreth 27 vitesh me detyra në sistemin e drejtësisë, Alaudin Malaj dha dorëheqjen nga pozita e gjyqtarit të Apelit Tiranë në korrik të këtij viti. Ai e paraqiti dorëheqjen përmes një letre drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor.