Të shtëna me armë zjarri raportohen të kenë ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në Bibione, në Venecia të Italisë. Në konflikt, sipas mediave fqinje, u përfshinë 3 shqiptarë dhe një prej tyre mësohet se është në gjendje të rëndë për jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00. Sipas të dhënave të para, mësohet se një shqiptar rreth 55-vjeç trokiti në derën e një tjetër bashkëkombësi që jetonte në rrugën Vega. 55-vjeçari nxori pistoletën dhe qëlloi 3 herë në drejtim të personit në fjalë, i cili ishte në shoqërinë e një tjetër shqiptari.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes autoritetet ndaluan dy prej shqiptarëve, ndërsa i plagosuri është dërguar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë për jetën.
Mediat italiane, duke cituar burime të policisë thonë se të tre shqiptarët punojnë si kopshtarë në një ndërmarrje një Bibione dhe dyshohet se kishin konflikte për çështje parash. Megjithatë këto janë ende të dhëna paraprake dhe më shumë detaje pritet të ketë në vijim. Edhe identiteti i tre shqiptarëve të përfshirë në këtë konflikt nuk është bërë ende publik.