Aktualitet Konfliktet më të shpeshta të shqiptarëve, që po zgjidhen me ndërmjetësim

Konfliktet më të shpeshta të shqiptarëve, që po zgjidhen me ndërmjetësim

Mosmarrëveshjet e shumta me natyrë familjare, civile apo tregtare, që vihen re në jetën e përditshme, prej kohësh kanë vënë në vështirësi institucionet e drejtësisë. Përballë numrit gjithnjë në rritje dhe pamundësisë së zgjidhjes në kohë të tyre, lind nevoja e zgjidhjeve alternative ndaj gjyqit, i cili sjell kosto të larta.

Nga një konflikt, jo domosdoshmërisht palët mund të dalin humbëse ose fitimtare. Ekziston edhe mundësia që gjithçka të përkthehet në avantazh dhe kjo falë procesit të ndërmjetësimit. Një koncept i ri në praktikë për shoqërinë shqiptare, por që duket se po gjen më shumë terren për t’u zhvilluar.

Largimi i mosmarrëveshjeve të vogla nga sallat e gjykatave është një prej synimeve themelore të Reformës në Drejtësi. Ligji për ndërmjetësimin ligjor ka për qëllim që këto përplasje të vogla gjyqësore, deri 1 milion lekë të zgjidhen në zyrat e ndërmjetësuesve dhe jo më në gjykata. Kreu i Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve Ligjorë, Drita Avdyli, thotë se me ndryshimet ligjore synohet që të largohen nga sallat e gjykatave 70% e volumit të çështjeve. Kjo, jo vetëm do të ulë korrupsionin në gjykata, por edhe mbingarkesën e punës së gjyqtarëve.

Znj. Drita Avdyli thotë se ndërmjetësimi në konceptin modern është trajtimi i konflikteve ose mosmarrëveshjeve me natyra të ndryshme, si familjare, kontraktuale e penale, duke gjetur zgjidhje përmes komunikimit të palëve në konflikt me praninë e një ndërmjetësi që është i licencuar, i akredituar, dhe që ka aftësinë për të gjetur zgjidhje, pra me pak fjalë, është një formë alternative jashtë rrugëve gjyqësore. “Është një formë që ofron disa avantazhe në krahasim me trajtimin gjyqësor apo me arbitrazh, sepse kursen shumë kohë. Nëse një çështje në arbitrazh trajtohet për shumë muaj apo edhe vite, por nëse palët shkojnë në ndërmjetësim, çështja zgjidhet brenda disa seancave, që do të duan jo më shumë se një muaj kohë. Një tjetër epërsi ka të bëjë edhe me kursimin e parave, sepse në rastet e konflikteve pronësore apo kontraktuale, nuk kërkohet që të ndërpritet biznesi (siç ndodh nëse rasti shkon në gjykatë), asetet të ngrijnë e si rrjedhim, biznesi përballet me humbje të konsiderueshme” – thotë znj. Avdyli.

Për të dhënë disa detaje më tepër rreth punës së institucionit që drejton, znj. Avdyli thotë për “Monitor” se, ndërmjetësimi ofron zgjidhje shumë të shpejtë, deri në 5 seanca, të dy palët kanë një ndërmjetës dhe kohën që përfitojnë nga zgjidhja e shpejtë. Po ta konvertojmë në para ky është shumë domethënës.

“Avantazh tjetër është se nëse palët me Kontratë apo Marrëveshje me shkrim kanë parashikuar kushtin se Ndërmjetësimi do të jetë alternativa parë e zgjidhjes së Konfliktit, para asaj gjyqësore, gjykata nuk e merr në shqyrtim çështjen pa u zbatuar ky kusht, pra ti nuk i hyn kalvarit të gjatë të procesit gjyqësor. Duhet theksuar se, për komunitetin në nevojë, ndërmjetësimi është falas” – thotë znj. Avdyli.

Ekspertja: Ndërmjetësimi nuk zgjidh gjithçka

Msa. Av. Denisa Daka dhe anëtare e Këshillit të Dhomës së Avokatëve, thotë për “Monitor” se, në Shqipëri konfliktet janë të mprehta e të egra e kultura e dialogut e mirëkuptimit është në nivele të pakonsiderueshme e për këtë arsye e dhjetëra të tjera në radhë, qytetarët shohin si mundësi reale, të sigurt dhe efikase zgjidhjen e çështjeve në rrugë gjyqësore.

Megjithatë, sipas saj, Ligji “Për ndërmjetësimin e zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve”, ishte një risi për sa u përket mundësive dhe alternativave për zgjidhjen e konflikteve jashtë gjyqësisht ndërmjet palëve.

“Nëpërmjet një personi të tretë, palët kanë të drejtë të kërkojnë zgjidhje për konfliktin, duke shprehur vullnetin e tyre në marrëveshjet përkatëse, me kusht që ky i fundit të mos bjerë ndesh me ligjin. Ndërmjetësit janë të paanshëm dhe neutralë në raport me palët, ndërsa ndryshe nga gjykata nuk kanë të drejtën e vendimmarrjes apo autoritetin për t’iu imponuar zgjidhjen e ofruar prej tyre subjekteve përkatëse” – thotë Msa.Av. Daka.

Detyra e ndërmjetësit, shton më tej ekspertja – nuk është të marrë vendime, por të asistojë dhe të ofrojë mundësi për zgjidhjen e konfliktit, ndërsa kjo e fundit është në dorë të palëve në çdo rast.

“Ndërmjetësi nuk mund të luajë kësisoj rolin e gjykatësit apo të japë drejtësi, por ka kompetencë për të ndërtuar një proces komunikimi, dialogu dhe negocimi, duke i orientuar në çdo rast palët drejt zgjidhjes më të mirë. E në çdo rast kur nuk ka dakordësi mes palëve apo marrëveshja mes tyre është e pamundur për t’u arritur, zgjidhja e vetme mbetet rruga gjyqësore” – përfundon ekspertja ligjore.

SHIFRA

Gjatë katër viteve, rreth 10 mijë persona kanë preferuar të mos u drejtohen gjykatave për të zgjidhur konfliktet e tyre, por t’i zgjidhin përmes ndërmjetësimit.

Bëhet fjalë për mosmarrëveshje të tilla që nga mosrespektimi i kontratave të punës, për markat tregtare, deri te çështjet me të dëmtuar akuzues, kryesisht për veprën e shpifjes dhe rrahjes.

“Janë të pronave që janë më shumicë, pastaj për çështje tregtare, pune dhe civile. Ne jemi pjesë e Kodit të Procedurës Civile dhe gjykatat duhet t’i orientojnë palët te ndërmjetësimi para se të nisë procesi” – thotë Drita Avdyli, kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit. /Monitor