Shqipëria është rreshtuar në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me përshkallëzimin e tensioneve me Iranin. Kryeministri Edi Rama thotë se sulmet në Gjirin e Omanit përbëjnë kërcënim për paqen në botë.
“Sulmet në Gjirin e Omanit janë kërcënim serioz për paqen ndërkombëtare dhe sigurinë energjetike. Shqipëria qëndron e vendosur me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kundër asaj që duket të jetë një provokim i projektuar nga Irani për të përshkallëzuar tensionet”, shkruan Rama në Twitter.
Dy ditë më parë, dy anije çisternë që transportonin naftë u përfshinë nga flakët në Gjirin e Omanit. Rrethanat janë të paqarta, ndërsa SHBA akuzoi Iranin për sulme me mina ndaj anijeve. Nga ana tjetër, Irani i ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Kjo ngjarje përshkallëzoi tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, në kulmin e mosmarrëveshjeve mes tyre për programin bërthamor iranian.