Kryesore Konjufca: Raportet mes Ramës dhe Kurtit janë lënduar, por do të takohen...

Konjufca: Raportet mes Ramës dhe Kurtit janë lënduar, por do të takohen së shpejti

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca i është përgjigjur interesit të mediave pas takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Prishtinë.

Duke nënvizuar se Rama mund t’i ndihmojë më shumë seç po bën tani, Kosovës, ai u përpoq të arsyetonte refuzimin e Albin Kurtit për t’u takuar me kryeministrin shqiptar, me tezën se qeveria e Kosovës është lënduar nga vendimi i njëanshëm për anulimin e mbledhjes ndërqeveritare në Gjakovë.

“Ne biseduam për zhvillimet në vend, për situatën politike, për ndihmën që e presim nga qeveria Rama, për të gjitha këto procese të vështira që po kalojmë. I tregova që ndihma e Shqipërisë, është e pazëvendësueshme dhe Rama mund të na ndihmojë shumë më shumë se po e bën aktualisht, që Republikën e Kosovës, në përpjekjet tona që janë shtetërore dhe kushtetuese, për të vendosur rend dhe ligj, të mos e shohin Kosovën fajtore, këtu nuk ka fajtor, këtu mund të ketë përgjegjësi”, u shpreh kryetari i Parlamentit të Kosovës.

Pavarësisht krisjes në marrëdhënien Kosovë-Shqipëri, Konjufca la të kuptohet se do të ketë së shpejti një takim dypalësh Rama-Kurti, por pa dhënë kohë se kur.

“Kjo do të rregullohet se shpejti, ata do të takohen së shpejti“, tha ai.

Ndër të tjera ai nënvizoi se drafti i Ramës për Asociacionin përmban elemente që i japin autonomi serbëve në Kosovës dhe kjo është e dëmshme për vendin.

Konjufca përmendi edhe “krizat” që sipas tij Kosova i ka pasur me Shqipërinë ndër vite, si për të treguar se tensioni aktual mund të përfshihet po ashtu ndër to.

“Rama ishte i shqetësuar sa i përket presionit ndërkombëtar, por mua ma la përshtypjen se ai po e përjeton presionin më shumë se ne. Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë. Kosova gjithmonë ka bërë hapa gjigantë në kauzën e vet, në çdo kohë, për sa kohë që Republika e Shqipërisë i ka qëndruar prapa. Mua më kujtohen vetëm 2-3 momente në vitet ‘90, edhe gjatë kohës së presidentit Rugova, ku Shqipëria i ka dalë kundër Kosovës. Ato kanë qenë raste shumë të rralla.

Vetëm një moment ose 2 kanë qenë momente krizash, kur kryeministri shqiptar i ka dalë kundër presidentit ose ministrave. Ne patëm një krizë në 2017-n, kur u duk se sikur për Kosovën, edhe Republika e Shqipërisë po është në anën e shkëmbimit territorial. Mendoj se kjo e dëmtuar Republikën e Kosovës. Mendoj se e ka dëmtuar edhe ideja e ‘Ballkanit të Hapur’. Sepse ky është dallim nga ajo që ka nevojë Kosova.

E tani e treta është kjo që po e dëmton Republikën e Kosovës, kur ne jemi në të drejtën tonë dhe ku nuk po na kupton as Republika e Shqipërisë. Prej kësaj nuk ka gjëra pozitive, me këto pozicione Kosova mundet vetëm të dëmtohet”, tha Konjufca.