Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës po mbajnë një seancë të përbashkët parlamentare në vigjilje të 110-vjetorit të Pavarësisë. Gjatë fjalës së tij në këtë seancë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur se 28 Nëntori është dita e Kosovës po aq sa e Shqipërisë. Konjufca ka shtuar se sa më afër Shqipëria me Kosovën, aq më e lehtë është për t’i mbrojtur interesat e kombit.
Kreu i Parlamentit kosovar nënvizoi rëndësinë e kësaj datë për të gjithë shqiptarët, duke kujtuar si pikërisht domethënie e kësaj date të shënuar ka qenë ylli polar i të gjithë dëshmorëve të rënë për liri, duke filluar nga heroi Adem Jashari.
Duke marrë shkas nga dita e lindjes së heroit nga Prekazi që përkon pikërisht me 28 nëntorin, Konjufca beri një paralelizëm midis ikjes të okupatorit osman nga Shqipëria me largimin e okupatorit serb nga Kosova, pothuajse një shekull më vonë.
Por përpos ditës festive, kreu i Parlamentit kosovar kujtoi edhe se “po aq sa festojmë sot duhet të reflektojmë për pengesat”, duke parë edhe nga situatën e ndërlikuar ndërkombëtare dhe në rajon.
“Bota sot është më e pasigurtë nga Rusia, i vetmi vend në Europë i lidhur me Moskën është Serbia. Ajo na lufton nga brenda dhe jashtë, nga diplomacia te kontrolli i grupeve kriminale. Sa më afër Shqipëria me Kosovën, aq më shumë do të mbrojmë interesat e kombit”, tha ai, duke kujtuar orientimin “e pa rezervë të Kosovës në BE, brenda NATO-s, në miqësi të përhershme me SHBA”.