Bota Konservatorët e kryeministrit Plenkoviç fitojnë zgjedhjet në Kroaci, shqiptarët mbeten pa deputet

Konservatorët e kryeministrit Plenkoviç fitojnë zgjedhjet në Kroaci, shqiptarët mbeten pa deputet

Partia Konservatore e kryeministrit Andrej Plankoviç, Bashkimi Demokratik Kroat, fitoi zgjedhjet parlamentare përballë koalicionit të majtë të drejtuar nga Presidenti Zoran Milanoviç. Por partia konservatore, NDZ, nuk arriti një shumicë absolute në zgjedhjet e së mërkurës, duke paralajmëruar një periudhë pasigurie politike për vendin.

Konservatorët fituan 61 vende në parlamentin me 151 vende. Kjo është një rënie prej pesë votash në krahasim me parlamentin e kaluar.

Edhe pse me një rezultat pozitiv, partia qeverisëse e kryeministrit Andrej Plankoviç do të ketë nevojë për mbështetje nga grupet e ekstremit të djathtë për të qëndruar në pushtet.

“Duke filluar nga nesër në mëngjes, ne do të fillojmë të formojmë një shumicë të re parlamentare për të formuar qeverinë tonë të tretë. Dua të përgëzoj partitë e tjera që u mundën nga HDZ”, tha Andrej Plankoviç, kryeministër i Kroacisë.

Për kreun e social-demokratëve, pakënaqësia është e qartë, por shprehen se do të provojnë qeverinë e re nëse do u qëndrojë premtimeve për të luftuar korrupsionin.

“Nesër do të fillojnë bisedimet me ata që deri dje thoshin se nuk do të mbështesin Bashkimin Demokratik Kroat (HDZ) dhe se nuk do të tolerojnë më një Kroaci të korruptuar dhe të degraduar. Dhe tani është obligim i secilit prej nesh për t’i demonstruar popullit kroat nëse fjalët e folura gjatë fushatës ishin thjesht trillime dhe mashtrime apo nëse ishte e vërteta që qëndron pas dëshirës së vërtetë për ndryshim”, u shpreh Pedja Grbin, Kryetar i Partisë social-demokrate.

Shqiptarët mbeten pa deputet

Sakaq, deputetja shqiptare e disa legjislaturave në parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prljaskaj nga Bashkimi i Shqiptarëve në Kroaci nuk ka arritur që të sigurojë mandatin e deputetit.

Armin Hodzhiç, kandidat i Koordinimit Kombëtar të Boshnjakëve në Kroaci, ka fituar mandatin e deputetit dhe do të përfaqësoj pesë pakicat kombëtare në Parlamentin kroat. Hoxhiç ka marrë votat e 3 mijë e 328 votuesve, ndërsa Lekaj Prljaskaj, 2 mijë e 239 votues. Hoxhiç do të përfaqësojë pakicat kombëtare shqiptare, boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllovene.

Pjesëmarrje e lartë në votime

Pjesëmarrja e votuesve iu afrua një niveli rekord, pasi ishte 61.83%. Zgjedhjet parlamentare u  konsideruan si një test për popullaritetin për kryeministrin Andrej Plenkoviç dhe partinë e tij, e cila ka dominuar politikën që nga pavarësia e Kroacisë. Rezultatet mund të ndikojnë edhe në politika të mëdha, duke përfshirë mënyrën se si qeveria kroate e sheh konfliktin në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Plenkoviç mbështet Ukrainën, por opozita jo.

Partia e Plenkoviç kishte shpresuar për një mbështetje më të madhe nga qytetarët për shkak edhe të anëtarësimit së Kroacisë në BE gjatë kohës së qeverisjes së kësaj partie, futjen e euros dhe suksesin në fushën e turizmit. Por shumë janë lodhur nga skandalet e shumta të kësaj partie, por edhe situatës ekonomike në vend pasi Kroacia mbetet një nga më të varfrat në BE.