Bota Konservatorët e Merkelit përsëri në epërsi

Konservatorët e Merkelit përsëri në epërsi

Sipas një sondazhi të ri, blloku konservator i kancelares gjermane, Angela Merkel është përsëri përpara të gjelbërve, ndërsa demokratët pro biznesit (FDP) u janë bashkuar social-demokratëve (SPD) në vendin e tretë, përpara zgjedhjeve të vjeshtës.

Në sondazhin e ri nga RTL/NTV, demokristianët dhe partia e tyre motër bavareze (CSU) fituan një pikë përqindje dhe aktualisht mund të presin 25 % të votave.

Nga ana tjetër, të gjelbrit kanë humbur një pikë krahasuar me javën e kaluar dhe janë në 24%, ndërsa FDP-ja fitoi një pikë dhe tani është në të njëjtin nivel me SPD me 14% secila.

Alternativa e Djathtë për Gjermaninë (AfD) ra me një pikë përqindje në 9%, ndërsa e majta ekstreme ”Die Linke” (partia e krahut të majtë) do të merrte 6% nëse zgjedhjet federale do të mbaheshin të dielën.

Kreu i Partisë së Gjelbër, Annalena Baerbock ende mban kryesimin në zgjedhjen e saj për postin e kancelarit, por epërsia e saj ndaj rivalëve Armin Laschet për bllokun CDU/CSU dhe Olaf Scholz për SPD është zvogëluar.

Nëse gjermanët mund të zgjedhin kancelarin e tyre drejtpërdrejt, 24% do të zgjedhin Baerbock, tetë pikë përqindje më pak se pesë javë më parë.

Kreu i CDU, Laschet do të merrte 19%, një pikë përqindje më të lartë, ndërsa zëvendëskancelari dhe ministri i Financave Scholz do të merrte 14%.

Rreth 43% e të anketuarve nuk do të zgjidhnin asnjë nga tre.