Histori “Konsiderohej nga fuqitë e mëdha si një pronë pa zot”, kur senatori...

“Konsiderohej nga fuqitë e mëdha si një pronë pa zot”, kur senatori francez mbronte Shqipërinë ndaj Lidhjes së Kombeve

Paul d’Estournelles de Constant (1852 – 1924)

Ne kemi marrë letrën e mëposhtme:

Paris, 1 korrik.

Zoti kryeredaktor,

Lexova në “Le Matin” e ditës së sotme protestën bujare, tepër të justifikuar, që frymëzon kolegu dhe miku im, deputeti Justin Godart, mbi mohimin e drejtësisë prej të cilës u bë viktimë Shqipëria.

Dua t’i bashkohem, me disa nga miqtë më të devotshëm të Lidhjes së Kombeve, kësaj proteste. Është tepër e vërtetë që për një kohë të gjatë Shqipëria konsiderohej nga fuqitë e mëdha si një pronë pa zot, një pre për t’u ndarë, një monedhë shtesë për të rregulluar tregjet e fshehta të politikës. E pajisur me një bollëk pasurish të lakmuara natyrore, Shqipëria e dobët nuk kishte të ardhme tjetër veçse të shtypej dhe të shfrytëzohej keq. Por kjo nuk duhet të jetë më e vërtetë pasi ekziston Lidhja e Kombeve.

Të gjithë ata që, si unë, besojnë në Lidhjen e Kombeve; të gjithë atyre që shohin tek ajo të fundit, të vetmen shpresë shpëtimi kundër luftërave të reja dhe kundër anarkisë përfundimtare universale, do t’u vijë keq ta shohin atë t’i kthejë shpinën misionit të saj. Ajo e mohon këtë mision nëse braktis një popull që me energjinë e tij për shekuj ka shpëtuar pavarësinë, gjuhën, traditat e tij. Ajo e braktis këtë popull; ajo bën shumë më keq; ajo braktis vetveten; e dorëzon veten duke dorëzuar, pa e dëgjuar, një nga anëtarët e saj në arbitraritetin dhe fshehtësinë e nuk e di se çfarë negociatash qeveritare.

Mua më intereson Shqipëria pa dyshim, ashtu siç mbrojta popujt e tjerë të shtypur të Gadishullit Ballkanik. Por është një viktimë, për fat të mirë, që ka një jetë të vështirë, si Franca, dhe që do të mbetet mjaft e guximshme për t’i mbijetuar padrejtësisë dhe për të triumfuar ndaj saj. Ajo që më shqetëson mbi të gjitha është fati i Lidhjes së Kombeve që është, ose duhet të jetë, ndërgjegjja dhe streha jonë.

E përgëzoj z. Godart që nuk pati frikë të kompromentonte veten duke u dëshpëruar që Lidhja e Kombeve u bindet ndikimeve qeveritare, për të braktisur një popull që i beson asaj dhe për të hequr dorë nga detyra e saj të paanësisë, arsyeja e saj e të qenit.

D’Estournelles de Constant,

senator.

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania