Policia në bashkëpunim me forcat speciale të RENEA-s vunë sot në pranga Astrit Avdyli, i njohur edhe me mbiemrat Balliu dhe Sulejmani këtë të shtunë, disa javë pasi u shpall në kërkim nga SPAK.
50-vjeçari i ashtuquajtur me nofkën “Niçja”, konsiderohet si drejtues i një grupi kriminal në këtë zonë dhe u vu në pranga në banesën e tij. Gjatë ndalimit iu është sekuestrua edhe kjo armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak.
Avdylaj u shpall në kërkim me kërkesë të SPAK, që ka ngritur dyshime se është i përfshirë në sigurim të kushteve për vrasjen e Durim Bamit.
Komunikimet në aplikacionin “Sky” treguan se si Astrit Avdyli mbante komunikime me ish-deputetin Arben Ndoka dhe ofrohet ta ndihmojë atë në planin për eliminimin fizik të Durim Bamit.
Avdylaj i dërgoi nipin e tij, Aldo Avdylin dhe Arben Mërkurin, Ndokës për të realizuar qëllimin. Nga ana tjetër, Astrit Avdylaj gjithashtu akuzohet se ka organizuar në bashkëpunim me persona të tjerë, futjen në Shqipëri në mënyrë ilegale të nipit të tij nga Mali i Zi në mënyrë që të realizonte vrasjen dhe të kishte më pas alibi.
Zhdukja e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, riktheu në media dhe përballë autoriteteve emrin e Astrit Avdylajt. Ky i fundit u lakua si kontakti i fundit i Martinajt, para se të zhdukej pa gjurmë më 9 gusht të vitit 2022.
Dy muaj pas zhdukjes së Martinajt, ndërkohë që fati i tij ishte mister, policia kreu disa kontrolle në disa zona të Shqipërisë ku operojnë grupe të ndryshme kriminale. Mes tyre, ishin edhe Avdylajt. Forcat Speciale dhe rrethuan zonën ku jetojnë Avdylajt dhe kryen kontrolle në banesat e tyre, me shpresën se do të gjenin gjurmë të të zhdukurit.
Astrit Avdylaj u mor dhe në pyetje nga prokuroria e Kurbinit si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por ka mohuar që të ketë dijeni për fatin e Martinajt apo të ketë pasur kontakte me të.
Astrit Avdylaj është përballur edhe më herët me drejtësinë për akuza të trafikut të lëndëve narkotike dhe krime kundër jetës.