Policia ka finalizuar operacionin policor të koduar “Botulinum toxin”, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të kontrabandimit dhe tregtimit të kundërligjshëm të produktit mjekësor të njohur si “Botox” nga klinikat estetike.
Në kuadër të këtij operacioni janë kryer kontrolle në 30 klinika estetike në Tiranë, ku ka rezultuar se administratorët e tyre nuk deklaronin në organet tatimore të ardhurat që përfitonin nga injektimi i “Botoxit” tek pacientët pasi dyshohet produkti është i kundraligjshëm dhe i kontrabanduar.
Policia ka vënë në pranga administratorin e subjektit që kontrabandonte dhe magazinonte produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizonte me të klinikat. Në pranga dhe administratorët e 2 klinikave.
“Për këtë paligjshmëri u arrestuan në flagrancë shtetasit M. K., Xh. M. dhe D. Sh. Shtetasi M. K. është administrator i një subjekti privat që dyshohet se kontrabandon dhe magazinon produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizon me të, klinikat. Ndërkaq, shtetaset Xh. M. dhe D. Sh. janë administratore të 2 prej klinikave ku injektohej ky produkt.
Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A. T., J. B., J. Z., L. C., K. B. dhe E. Sh, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit S. F., K. B. dhe A. F. B., të gjithë administratorë klinikash estetike ku injektohej ky produkt. Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim”, njoftojnë uniformat blu.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.