Barzan Kamal Majeed, kreu i një bande kriminale që trafikonte emigrantë me gomone dhe kamionë në Angli, i njohur me nofkën “Akrepi”, është vënë në pranga pas dy vitesh në arrati.
Ai u arrestua në Irak nga forcat e sigurisë së rajonit Kurdistan këtë të hënë.
Majeed, një ish-mekanik në Nottingham, ishte zhdukur që nga nëntori i vitit 2022, kur duhej të paraqitej në një gjykatë në Belgjikë pasi akuzohej për trafikim të qenieve njerëzore.
“Akrepi” u dënua me 10 vjet burg në mungesë, si dhe u gjobit me 968 mijë euro.
“Akrepi” u identifikua gjatë një hetimi të përbashkët mes autoriteteve britanike, belge, holandeze dhe franceze.
“Akrepi” akuzohet për kontrabandimin e emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar midis korrikut 2018 dhe nëntorit 2019 duke përdorur gomone, kamionë dhe kontejnerë transporti.
Në një intervistë nga arratia të publikuar vetëm 3 ditë më parë nga BBC, ai pretendonte se kishte kaluar rreth 10 mijë emigrantë në Angli në mënyrë të paligjshme.