Aktualitet Kontrata 115 mijë euro/ Këngëtarja Bleona Qereti padit në prokurori arkitektët, nuk...

Kontrata 115 mijë euro/ Këngëtarja Bleona Qereti padit në prokurori arkitektët, nuk i mobiluan siç donte shtëpinë e prindërve

Një kompani private që merret me mobilimin e zyrave, banesave, akuzohet se mashtruar këngëtaren e njohur Bleona Qereti.

Këngëtarja kishte lidhur një kontratë me kompaninë e arredimit, ku qëllimi ishte mobilimi i plotë i shtëpisë së prindërve në Tiranë.

Vetë këngëtarja jetonte në Amerikë, duke ndjekur kryerjen e punimeve dhe mobilimin e shtëpisë, përmes fotove dhe videove që i dërgonin arkitektët e kompanisë ë ajo kishte zgjedhur për mobilim.

Por kur arredimi është kryer dhe këngëtarja ka paguar një shumë prej gati 115 mijë euro, kjo e fundit është kthyer në Shqipëri, duke monitoruar mobilimin, cilësinë e tij dhe aksesorëve të tjerë elektrikë.

Këngëtarja Qereti ka pretenduar re se mobilimi nuk ishte i cilësisë së dakordësuar në kontratë dhe për më tepër duke pretenduar edhe se nuk ishin kryer një seri punimesh në shtëpi.

Bleona Qereti, ka kërkuar shpjegime nga kompania për situatën, por kompania e ka cilësuar të mbyllur shërbimin për mobilimin e shtëpisë.

Nisur nga lindja e këtij konflikt mes dy palëve, Bleona Qereti, i është drejtuar me një kallëzim penal prokurorisë së Tiranës, duke kërkuar ndjekjen penale për drejtuesit e kompanisë së arkitektimit.

Çështja është regjistruar në prokurorinë e Tiranës, por shumë shpejt dosja është çuar në gjykatë për pushim.

Ditën e djeshme ishte seanca e parë në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës, ku gjyqtari Kujtim Vranici, kishte thirrur këngëtaren e njohur për të dhënë pretendimet e saj.

Ndërkohë si përfaqësues i akuzës në gjyq nuk ishte prokurorja që kishte bërë kërkesën për pushimin e dosjes, pasi ajo tashmë është shkarkuar nga “Vettingu”, por akuza në këtë proces përfaqësohej nga prokurori tjetër Bledar Valikaj.

Ky i fundit i ka kërkuar gjyqtarit Kujtim Vranici, të kthente dosjen për rihetim pasi çështja kishte nevojë për një rimedinsionim të hetimeve, pasi shumë verifikime nuk janë kryer.

Edhe këngëtarja Bleona Qereti, i ka kërkuar gjyqtarit Kujtim Vranici, që çështja e iniciuar prej saj, të rikthehet për rihetim.

Pritet që në fund të këtij muaji gjyqtari Kujtim Vranici, të marrë vendim lidhur me këtë çështje, ku gjasat janë që dosja të kthehet sërish për rihetim./Ora News