Rinovimi me Lionel Messin është shndërruar në një prioritet absolut për Barcelonën, me presidentin Josep Maria Bartomeu që ka gati kontratën e re për sulmuesin argjentinas.
Me Barçën nuk kanë zgjatur ende marrëveshjet e bashkëpunimit, trajneri Luis Enrique, mesfushori kroat Rakitic, apo edhe portieri gjerman Ter Stegen, por primare për momentin drejtuesit e klubit blaugrana kanë firmën me Messin. Sipas asaj që raportojnë mediat që qëndrojnë pranë Barcelonës, shumë shpejtë 29-vjeçari do të hedhën të zezën mbi të bardhë, duke firmosur kështu kontratën e re që do ta lidhë me Barcën edhe për 5 vitet e ardhshme.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë do të firmosë deri në vitin 2022, dhe nga marrëveshja do të përfitojë një pagë më të lartë se ajo aktualja. Në këtë mënyrë pakësohen shanset e Manchester City-it dhe klubeve të tjera që kërkonin të kishin shërbimet e Messit që prej verës së ardhshme.
Edhe pse kontrata aktuale i skadon në 2018-tën, gjasat janë që Leo të qëndrojë në Camp Nou deri në moshën 35-vjecare për tu larguar më pas drejt vendlindjes së tij, pikërisht te skuadra e Newells Old Boys, ekip tek i cili parashikohet të mbyllë karrierën. Bartomeu pak ditë më parë ka theksuar se Messi duhet të jetë futbollisti më i paguar në Botë sepse e meriton ngaqë është më i miri, por mbetet për tu parë se sa do të jetë shuma që do të përfitojë në një sezon 29-vjeçari nga kontrata e re me Barcelonën.