Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Policia e Shtetit po ushtron kontrolle në disa qytete, kryesisht në Tiranë, Lezhë, Krujë, Fushë Krujë e Vlorë, ku kontrolle janë ushtruar në banesa të shumta si dhe në ambiente të tjera të ndryshme, me qëllim kapjen e personave të cilët kërkohen nga autoritetet, apo edhe kapjen e atyre, emrat e të cilëve kanë dalë në hetimet që po kryhen nga struktura e Posaçme antikorrupsion.
Me urdhër të SPAK, GJKKO ka lëshuar 43 urdhër arreste, ku 10 prej tyre janë vetëm për kryeqytetin.
Nga informacionet, bëhet me dije se kontrolle po ushtrohen në banesat e personave të njohur nga Policia e Shtetit, dhe në ato që janë me precedent në fushën e kriminalitetit.
Në kryeqytet ka patur disa kontrolle, përfshirë edhe në banesat e fisit Duka, rivalë të Ervis Martinajt, i shpallur në kërkim që prej muajit gusht të vitit 2022.
Në Larushk e Nikël po ashtu ka zbarkuar policia që prej orëve të para të mëngjesit, ku kontrolle janë ushtruar në banesën e Albert Zajës, i cili është dënuar me 19 vite burg me vendim të formës së prerë për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.
Urdhër arreste janë lëshuar edhe për vëllezërit Avdylaj si dhe për vëllezërit Bami. Kontrolle janë ushtruar që prej orës 04.00 të mëngjesit edhe në qytetin e Vlorës, për kapjen e personave të cilët dyshohet se janë të përfshirë në ngjarje kriminale.
Urdhër arrestet janë lëshuar me urdhër të prokurorit Alfred Shehu, pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin “Sky”, ndërsa kontrollet janë kryer nga policia e shtetit, FNSH, Operacionalja e RENEA.