Politika Kontrollet e policisë në Manzë, Berisha: Inkursion banditesk i policisë me urdhër...

Kontrollet e policisë në Manzë, Berisha: Inkursion banditesk i policisë me urdhër të Ramës

Sali Berisha, në një deklaratë për shtyp, dënoi atë që e quajti “inkursion agresiv dhe banditesk të Policisë së Shtetit” në kampin e muxhahedinëve paraditen e së martës.

“Inkursioni agresiv dhe banditesk i Policisë së Shtetit, me urdhër të Edi Ramës në kampin e refugjatëve iranianë, përbën një krim të shëmtuar, një dhunim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit, konventave ndërkombëtare për refugjatët, traditës shqiptare dhe detyrimit që vjen nga kjo traditë si vend mikpritës. Dënoj me ashpërsinë më të madhe terrorin fizik dhe psikologjik të ushtruar ndaj muxhahedinëve. Dënoj dhunën e egër fizike, e cila ka patur pasojë një viktimë deri tani dhe mbi 40 të plagosur. Dënoj veprimet banditeske, pasi të gjitha objektet e konfiskuara janë marrë pa lënë asnjë dokument apo procesverbal nga ana e policisë së Edi Ramës”, tha Berisha.

“PD dënon terrorizmin kudo që vjen, nuk përjashton mundësinë që brenda muxhahedinëve të ketë edhe terroristë të infiltruar, por PD-ja nuk pranon kurrë ndëshkime kolektive dhe këtë që ka ndodhur sot në kampin e Manzës. Akuzat e formuluara nga prokuroria sigurisht që kërkonin hetim, por kjo nuk mund të bëhej kurrë me një reprezalje masive ndaj refugjatëve iranianë”, përfundoi Berisha.