“Amerikanët të kenë vetëm një punë”. Zëvendëspresidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara tregon strategjinë e 100 ditëve të para të Joe Biden
Të përfundosh në kopertinën e revistës “Vogue” është një ambicie për çdo femër të pushtetshme ose pjesë e showbiz.
Por, kopertina e fundit e medias prestigjioze, të drejtuar prej vitesh nga një ikonë e modës si Anne Winthour, kësaj radhe ka shkaktuar më shumë polemika sesa lavdërime.
Revista ende nuk ka dalë në botim, por kopertina e parë, dedikuar zëvendëspresidentes së ardhshme të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, nuk i ka pëlqyer aspak fansave të saj, por thuhet edhe vetë stafit presidencial.
Fotografia e përzgjedhur kritikohet si aspak në nivelin artistik që Vogue ka mësuar lexuesit e saj, me një Harris të veshur me atlete dhe një skenografi pothuajse rastësore, por ku nuk munguan ata që panë në ngjyrat e sfondit, jeshil dhe rozë, ato të cilat simbolizojnë shoqatën studentore Alpha Kappa Alpha, të cilës i ka përkitur edhe Harris. Të tjerë, panë edhe një ndërhyrje në fotografi për të zbardhur disi ngjyrën e lëkurës së zëvendëspresidentes.
Polemikat u shtuan aq shumë në rrjetet sociale, saqë Vogue e ka zëvendësuar në versionin onlinë kopertinën e parë, në favor të një pamje shumë më institucionale.
Por, sipas burimeve, kopertina e parë dhe e diskutuar është tashmë miratuar për versionin e printuar, kështu që polemikat mendohet se do të vijojnë.
Pse Joe Biden zgjodhi atë
“Ai vendosi që unë do të isha një partner për të”, thotë Harris në intervistën për “Vogue” për arsyen pse Joe Biden zgjodhi atë si partneren e tij të kandidimit. Përveç arritjeve të saj profesionale si avokate e rrethit të San Franciskos, prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe senatore nga Kalifornia – shpesh gruaja e parë dhe personi me ngjyrë në ato role – “u rritëm në të njëjtën mënyrë, me të njëjtat vlera, domethënë ata kujdesen për familjen dhe punojnë pa u lodhur”. Ajo e sheh veten si një zv/Presidente e cila “gjithmonë do të thotë të vërtetën, gjithmonë i jap atij mendimin tim, i cili do të bazohet në fakte, njohuri dhe përvojën e jetës, dhe të veproj në një mënyrë që t’i lejoj atij, kur të marrë një vendim, të mbledhë informacione të plota për ndikimin që mund të ketë. Ai më ka kërkuar që ta bëj këtë gjë”.
Strategjia e 100 ditëve të para
Harris thotë se 100 ditët e para të administratës së Joe Biden do të përqendrohen në trajtimin e koronavirusit. “Hapi i parë i qasjes duhet të jetë marrja nën kontroll e kësaj pandemie“, thotë. Harris është e shqetësuar për fëmijët që iu mungon shkolla dhe punonjësve që janë në vijën e parë në fronin e betejës, që nuk kanë pajisje mbrojtëse dhe vuajnë nga trauma. Ajo shprehet se përparësitë e saj të para janë shpërndarja e vaksinës dhe përdorimi i Aktit të Prodhimit të Mbrojtjes, i cili do të rrisë prodhimin dhe shpërndarjen e maskave, dorashkave dhe veshjeve mbrojtëse.
Kur bëhet fjalë për ekonominë, fokusi i Harris është në bizneset e vogla, në përdorimin e fondeve federale për t’i ndihmuar ata të përshtaten me jetën në kohë COVID-i. Harris thotë se pas të gjitha këtyre masave qëndron ideja e “investimit në fuqinë punëtore amerikane”. Edhe para pandemisë, “shumë njerëz po punonin dy dhe tre punë. Në botën që unë dhe Joe Biden besoj se mund dhe duhet të ekzistojë, njerëzit duhet të punojnë vetëm në një punë”.
Shkenca do të ketë gjithashtu rëndësi, për të ndihmuar vendin të zbusë katastrofat e ardhshme. Nëna e Harris ishte një shkencëtare që e çonte Kamala-n dhe motrën e saj të vogël në laborator gjatë fundjavave dhe pas punës kur ata jetonin në Berkeley, Kalifornia Harris e sheh shkencën si mënyrën e vetme për të vazhduar infrastrukturën e vendit përmes ndryshimit të klimës.
Përqendrimi tek beteja me koronavirusin, sipas Harris do të ndihmojë në afrimin e amerikanëve, pa marrë parasysh për kë votuan.