Për herë të parë në Shqipëri është krijuar një adresar dixhital për të gjitha kopshtet dhe çerdhet në vendin tonë.
Janë afro 1300 institucione që janë listuar online, përfshirë si ato publike dhe ato private. Prindërit, por jo vetëm, kanë akses falas në platformën eduaktiv.al, dhe mund të gjejnë informacion të detajuar për secilin kopsht apo çerdhe të licencuar, duke nisur që nga vendndodhja gjeografike, e deri te shërbimet apo kushtet që ofron kopshti. Ky regjistër online është krijuar në zbatim të projektit ‘Liberi’, ndërmarrë nga organizata Eduaktiv me mbështetjen e Lëviz Albania. Në këtë link prindërit mund të zgjedhin kopshtin e fëmijës së tyre, por edhe çerdhen gjithashtu; https://www.eduaktiv.al/arsimi-parashkollor/kopshte.
Pezana Rexha, ideatorja e këtij projekti thotë se kjo iniciativë lindi pikërisht në momentin që vetë ajo vendosi të regjistronte vajzën në kopsht po nuk gjeti asnjë informacion se ku ta çonte: “Besoj çdo prind është gjendur përballë vështirësisë për të bërë zgjedhjen e duhur kur vjen puna te institucioni i duhur për fëmijën e vet, dhe në këtë aspket edhe unë hasa vështitrësi në momentin që duhet ta çoja vajzën në çerdhe dhe ndaj vendosëm të krijonim një platformë në të cilën ti mundesh të marrësh informacione të përgjithshme që do të duhen si prind për të gjetur institucionin adapat për fëmijën tënd, por njëkohësisht ti japim të drejtën edhe çdo prindi tjetër që të lërë përshtypje apo eksperiencën e tij për këto institucione. Është forma më e mirë praktikisht për të marrë informacionin e duhur nga prindërit. Ne patëm mundësi që të përfshinim jo vetëm institucionet e Tiranës, por të të gjithë Shqipërisë duke shkuar prakitkisht në të gjitha qytetet”.
Krahas ofrimit të informacionit për prindërit, projekti “Liberi” iu shërben edhe drejtuesve të pushtetit vendor të cilët përmes përshtypjeve të shprehura nga prindërit (të dokumentuara në video dhe formularë të plotësuar), të njihen me problematikat dhe shqetësimet e tyre, për të ndërhyrë më pas në përmirësimin e kushteve në kopshte dhe çerdhe. Enkeleda Isaku përfaqësuese e Drejtorisë së Edukimit dhe Zhvillimit, Bashkia Tiranë, (QEZHEF) tha se mbipopullimi është një fenomen ekzistent në Tiranë për shkak edhe të rritjes së numrit të popullatës, por në këtë drejtim janë ndërmarrë nisma dhe projekte infrastrukturore: “Bashkia e Tiranës në krahasim me rrethet ofron edhe shërbimin më masiv pasi janë 34 çerdhe dhe 45 kopshte, si dhe 60 klasa në pjesën rurale. Çdo ditë kopshtet e Tiranës i frekuentojnë mesatarisht 4000 fëmijë, shifër që tregon se çfarë shërbimi masiv ofrohet nga ne. Falë nismës ‘Adopto një çerdhe’ apo kopsht, u restauruan rreth 29 kopshte, gjithashtu puna u fokusua edhe në krijimin e bazës materiale për krijimin e një ambienti kreativ për fëmijët, dhe shërbimin ndaj fëmijës në të gjitha aspektet. Pra është punuar shumë në kopshte, por sigurisht ka akoma edhe shumë për të bërë”, tha Isaku.
Elisa Mezini, prind i një vajze 3 vjeç në kopsht, theksoi se deri më tani ka pasur një mungesë informacioni kundrejt çerdheve dhe kopshteve. “Unë si një prind i ri eksperimentova me 3 kopshte, provova dhe privatin me idenë që do kishte kushte më të mira, por kuptova se kjo nuk do të thotë se aty ku ka kushte, ka dhe edukim më të mirë. Kam vënë re se stafi ishte i lëvizshëm dhe formimi i tyre nuk ishte shumë profesional, ndaj dhe vendosa që ta lëvizja fëmijën tim. Sot që flasim kushtet në shtetëror janë përmirësuar, por ka akoma shumë për t’u bërë”.
Nevila Çinaj, lektore në Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’, tha se më shumë rëndësi duhet ti japim formimit të saktë dhe logjik të fëmijëve se sa përmirësimit të infrastrukturës dhe kushteve fizike në kopshte dhe çerdhe. “Mendoj se ka dy probleme te kopshtet, njëra anë është problemi i infrastrukturës që na ofrojnë ato dhe problemi tjetër është shërbimi arsimor që ato ofrojnë, që janë dy probleme të ndara nga njëra-tjetra. Ne sot po përballemi me një analfabetizëm funksional tek të rinjtë. Sot bota nuk diskuton më aspektin e infrastrukturës, ka lodra apo nuk ka lodra, unë mendoj që sot diskutohet sa cilësisht edukohet fëmija im në kopsht. Pra ne në radhë të parë duhet të punojmë për të rritur qytetarë të shëndetshëm, dhe kjo do të varet shumë nga niveli i kualifikimeve të stafeve që punojnë në kopshtet tona.. Pra mendoj se roli i kopshteve është tepër i rëndësishëm, pasi në formimin e një fëmijë faza më e rëndësishme nga ku duhet të filloj çdo proces reformues në Shqipëri, është sistemi parashkollor:, tha znj.Çinaj. Gjatë projektit ‘Liberi’ është arritur grumbullimi dhe listimi i 1197 kopshteve dhe 90 çerdheve nga të cilat 30 kopshte dhe 13 çerdhe janë të administruara në mënyrë private.
Objektivat e platformës Eduaktiv në të ardhmen janë që e njëjta skemë informacioni dhe klasifikimi të krijohet edhe për shkollat 9-vjeçare, gjimnazet e deri të universitetet, duke iu ardhur në ndihmë maturantëve por edhe kategorive të tjera që kanë nevojë për informacion të detajuar mbi arsimin.