Aktualitet Korçë, vritet 30-vjeçari. Në kërkim autori i vrasjes

Korçë, vritet 30-vjeçari. Në kërkim autori i vrasjes

Një i ri mbeti i vrarë, pasi u qëllua me armë zjarri në Korçë, të enjten në mbrëmje. 30-vjeçari Altin Balliu, nga fshati Slatinjë i Pogradecit, u ekzekutua me dy plumba.

Sipas të dhënave të para, dyshohet se viktima u qëllua pas ndjekjes dhe përballjes me të paktën 5 persona, mes të cilëve është edhe autori i vrasjes, që është identifikuar por nuk është kapur ende nga policia.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen nr 10 të qytetit, që njihet ndryshe si lagjja e “Francezëve”.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur pas një sherri që ka ndodhur në një lokal mes viktimës dhe autorit të ngjarjes.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se autori i vrasjes, ka kaluar me makinë para lokalit ku ndodhej viktima bashkë me disa miq të tij duke pirë alkool.

Autori ka gjetur rrugën e zënë nga një makinë. Në këtë moment, thonë burimet, autori ka dalë nga makina dhe  ka qëlluar me grushte dhe ka gërvishtur makinën që kishte zënë rrugën.

Makina para lokalit ishte e njërit prej miqve të viktimës, që ndodhej brenda lokalit duke konsumuar alkool.

Dëshmitarët nga vendngjarja thonë se gjatë debatit janë dëgjuar thirrjet: Kush je ti? Kush jam unë?! Ta tregoj unë…

Menjëherë nga lokali ka dalë grupi i miqve bashkë me viktimën dhe janë konfliktuar verbalisht dhe fizikisht me autorin, i cili ka hyrë në makinë dhe është larguar.

Disa minuta më pas, autori është kthyer në vendngjarje dhe ka qëlluar në drejtim të tyre dhe plumbi në kokë ka kapur 30-vjeçarin.

Menjëherë pasi ka qëlluar, autori është larguar nga vendi ku ka ndodhur krimi.