Autoritetet në Korenë e Jugut kanë falur ish-presidenten Park Geun-hye, e cila po vuante një dënim të gjatë në burg. Ministria e Drejtësisë thotë se falja e Park-ut ka për qëllim promovimin e unitetit kombëtar përballë vështirësive të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Institucionet e drejtësisë thanë se gjendja shëndetësore e ish-presidentes ka luajtur një rol kyç në marrjen e vendimit për amnisti. 69-vjeçarja vuante dënimin me 20 vite burg për ryshfet dhe shpërdorim detyre, ndërsa dy vite të tjera për shkelje të ligjit zgjedhor. Skandali për korrupsion i ish-presidentes ekspozoi lidhjet e dyshimta midis bizneseve të mëdha dhe politikës në Korenë e Jugut.
Presidentja e parë grua e Koresë së Jugut u arrestua dhe u dënua me burg në vitin 2017. Ajo u shkarkua nga detyra pas skandaleve për korrupsion që shkaktoi protesta masive për muaj me radhë.